Pas një viti me ushtrues detyre, Drejtoria e Shëndetësisë hap konkurs pune për drejtor të QKMF-së

Pas një viti me ushtrues detyre, Drejtoria e Shëndetësisë hap konkurs pune për drejtor të QKMF-së
Eurolinda Zenelaj

31.03.2021 / Suhareka

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Suharekë ka hapur konkurs pune për drejtor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë.

Më 17 mars të vitit 2020, drejtori i atëhershëm i QKMF-së, Dr. Salih Bytyçi, zyrtarisht kishte përfunduar karrierën e tij si udhëheqës i këtij institucioni, për shkak të pensionimi të tij.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 ai kishte vazhduar ta ushtronte detyrën e drejtorit deri në muajin prill, ku i kishte liruar vendin Dr.Arbër Zenelaj, i cili ishte emëruar ushtrues detyre i pozitës së drejtorit të QKMF-së. Pothuajse shtatë muaj pas ushtrimit të kësaj pozite edhe ky i fundit ka dhënë dorëheqje, për faktin se karrierën e tij nga data 1 nëntor ka vendosur ta ushtrojë në specializimet postdiplomike.

Lajmin e kishte konfirmuar për SuharekaOnline vetë Dr.Arbër Zenelaj, i cili kishte treguar se ka nënshkruar kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë që nga data 1 nëntor dhe në bazë të procedurave të parapara të legjislacionit nuk mund të ushtrojë funksionin e deritanishëm në QKMF.

E në vendin e tij është emëruar ish-drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr.Sale Bytyqi, e cila nga nëntori i 2020 e ka ushtruar këtë detyrë.

Ndërsa, gjatë ditës së mërkurë, 31 mars 2021, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Suharekë ka hapur konkurs pune për poziten e drejtorit në QKMF-Suharekë, lajmin për SuharekaOnline e ka konfirmuar edhe drejtoresha e këtij dikasteri, Besa Kuqi, e cila ka thënë se konkursi është hapur pasiqë QKMF-ja tash e një kohë ka vetëm u.d të drejtorit.

RAPORTO