Edhe pse Kosova tashmë ka ndërtuar një traditë dhe praktikë të mirë të organizimit të zgjedhjeve, megjithatë secila palë e zgjedhjeve është përcjellur me shkelje nga më të ndryshme, duke filluar që nga fushata zgjedhore e deri në ditën e votimit.

Përderisa kanë mbetur disa javë që kur qytetarët me të drejtë vote do të kenë mundësinë që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në nivel lokal, po citojmë disa nga shkeljet që janë raportuar në zgjedhjet e vitit 2017 në Komunën e Suharekës.

Gjatë një tubimi elektoral në të cilin kanë marrë pjesë banorët e fshatit Vërshec të Suharekës, si dhe njëri nga kandidatët për kryetar të Komunës së Suharekës, gjatë diskutimit lidhur me një burim të ujit në fshat ka ardhur deri te zënka në mes tyre, kishte bërë të ditur Policia e Kosovës.

Shkelje janë raportuar edhe gjatë ditës së votimit ku tre vendvotime në Suharekë ishin hapur me vonesë. Si në të gjitha ciklet zgjedhore edhe në zgjedhjet lokale 2017, janë shënuar raste të votimit jashtë kabinave të votimit (ose publikimit të votës), ndërsa asistimi i votuesve më shumë se një herë është shënuar në gjithsej 193 raste, në 65 vendvotime (ose në përqindje 2.6 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Peja (40 raste), Suhareka (31) dhe Prizreni (28).

Në qendrën e votimit 2419A në vendvotimin 02D në shkollën “28 Nëntori” në komunën e Suharekës, kryesuesi i vendvotimit ka votuar me kusht por gjatë votimit e ka fotografuar fletëvotimin e tij.

Zgjedhjet vazhdojnë t’i përcjellin disa votues qëllimkeq që tentojnë të votojnë më shumë se njëherë. Tentime për të votuar më shumë se një herë u evidentuan në 55 raste në zgjedhjet e 22 tetorit, prej tyre 1 në Suharekë.