Nuk respektuan ligjin anti-COVID, Policia e Suharekës dënon 577 qytetarë për dy muaj

Numri i rasteve pozitive me COVID-19, në Kosovë ditëve të fundit ka shënuar rritje, duke e krahasuar me ditët e para të muajit shkurt.

Madje gjatë ditës së martë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se janë identifikuar 488 raste pozitive me COVID-19, numër ky më i madh që nga fillimi i vitit 2021 deri më sot.

Në Komunën e Suharekës gjatë ditës së martë janë identifikuar 5 raste pozitive me COVID-19 dhe është raportuar për një viktimë të moshës 87 vjeç.

Që nga muaji mars i vitit të kaluar, ku edhe janë regjistruar rastet e para me këtë virus, deri më tani në Komunën e Suharekës janë regjistruar mbi 1.150 raste pozitive me COVID-19.

Ndërsa, për të parandaluar përhapjen e këtij infeksioni dhe për të menaxhuar situatën e krijuar, Qeveria e Kosovës në gusht të vitit të kaluar ka miratuar ligjin anti-COVID, të cilin duhet ta zbatojnë të gjithë qytetarët e vendit, në të kundërtën gjobiten nga policia.

Qindra dënime në bazë të këtij ligji shqiptohen çdo ditë nga policia në tërë vendin, poashtu edhe në Komunën e Suharekës.

Komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj në një prononcim për SuharekaOnline ka bërë të ditur se në dy muajt e parë të këtij viti, Policia e Suharekës ka dënuar 577 qytetarë të cilët nuk e kanë zbatuar ligjin anti-COVID.

Në Komunën e Suharekës, gjatë muajit shkurt janë konfirmuar 134 raste pozitive me COVID-19 dhe janë regjistruar 6 viktima nga ky virus.

Rikujtojmë se aktualisht Komuna e Suharekës është pjesë e zonës së gjelbër, zonë kjo me rrezikshmëri të ulët të përhapjës së infeksionit me COVID-19.

RAPORTO