FFK Nis cikli i ri i ligjëratave kundër kurdisjeve të ndeshjeve me futbollistët e grupmoshave të reja të Suharekës

Foto: Ilustrim

Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur ciklin e ri të ligjëratave me qëllim të vetëdijesimit dhe parandalimit të kurdisjeve të ndeshjeve.

Këto ligjërata po mbahen për të tretin vit radhazi, kurse cikli i ri ka nisur me ligjëratat me futbollistët e grupmoshave të reja në Regjionin e Prizrenit.

Zyrtari për integritet të garave, Ejup Osmani, para futbollistëve të rinj ka folur për rëndësinë që të kemi gara të ndershme dhe frymë sportive në të gjitha nivelet e futbollit në Kosovë.

Ai ka shpjeguar se futbolli si sporti më i popullarizuar në botë vazhdimisht kërcënohet nga njerëz dhe grupe të caktuara të interesit, të cilët për përfitime personale synojnë të çrregullojnë sistemin dhe mbarëvajtjen e garave, duke tentuar kurdisjen e rezultateve të ndeshjeve.

Megjithatë, Osmani ka bërë të ditur se zyra për integritet në FFK në bashkëpunim me UEFA-n do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe t’i mbikëqyr me seriozitetin më të madh garat në të gjitha rangjet për të parandaluar çdo ndërhyrje të njerëzve të tillë.