Nga 1 qershori ka filluar zbatimi i masës së tretë, ku gastronomia është hapur komplet, ashtu si në tërë vendin edhe në qytetin e Suharekës ka filluar normalizimi i jetës.
Që nga fillimi i muajit qyteti ka filluar të gjallërohet, kafe baret dhe restaurantet janë të mbushur me qytetarë dhe gjithçka duket si më parë.
Por që nga nesër numri i qytetarëve që do të frekuentojnë kafe baret me gjasë që do të jetë më i vogël. Kjo për faktin se pronarët e këtyre bizneseve siç merr vesh SuharekaOnline do të rrisin çmimin e makiatove dhe kafesë paplum.
Nga 0.50 cent aq sa ka qenë, çmimi do të ngritet në 0.80 cent. Çmimi do të ngritet qysh nga dita e hënë pothuajse në të gjitha kafeteritë përnjëherë.
Ende nuk dihet nëse kjo rritje e çmimeve është bërë me marrëveshje në mes të pronarëve të biznesve, mirëpo nëse një gjë e tillë konfirmohet nga Agjencia Kosovare e Konkurrencës. Pra, nëse ka pasur marrëveshje në mes të pronarëve për ngritje të çmimit, atëherë kjo është e kundërligjshme, pasi bëhet fjalë për marrëveshje kartel.
Ligji nr. 03 /L-229 për mbrojtjen e Konkurrencës neni 4 “Marrëveshjet e ndaluara”, thotë se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marrura në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduar të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare në tregun relevant e veçanërisht marrëveshjet që: caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”.