Në pritje të zgjedhjeve lokale, “testit” të pozitës dhe opozitës!

08.06.2021

Zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit padyshim që kanë krijuar një hartë të re politike në Kosovë, e që sipas pritjeve parashihet që të reflektojnë edhe në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen jo më larg se 31 tetor të këtij viti. Edhe pse çështja e votueseve në zgjedhjet nacionale dallon nga zgjedhjet lokale, këto të […]

Në pritje të zgjedhjeve lokale, “testit” të pozitës dhe opozitës! Foto: Ilustrim

Zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit padyshim që kanë krijuar një hartë të re politike në Kosovë, e që sipas pritjeve parashihet që të reflektojnë edhe në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen jo më larg se 31 tetor të këtij viti.

Edhe pse çështja e votueseve në zgjedhjet nacionale dallon nga zgjedhjet lokale, këto të fundit padyshim që do të jenë një test për partitë që synojnë pushtetin dhe ato që aktualisht udhëheqin me të.

Historikisht në zgjedhje lokale që nga viti 2001 Komuna e Suharekës kryesisht është udhëhequr nga LDK (tre mandate) dhe në dy mandate nga AAK.

Por, si nga ndryshimi i skenës politike në nivel qendror, mos përmbushja të premtimeve elektorale dhe mos reformimi i partive politike në shumicën e rasteve, faturën e nivelit qendror e kanë paguar edhe kandidatët e degëve në nivele lokale. Megjithatë pavarësisht paragjykimeve për (mos)fitoren e kandidatit të mundshëm, partitë politike kanë filluar zyrtarizimin e kandidatëve të tyre, duke paraqitur kështu në disa raste emra të “pakonsumuar” politikisht.

Edhe në Komunën e Suharekës tashmë partitë politike kanë filluar të prezantojnë kandidatët e tyre për të parin e saj, ku deri më tani nga LDK është zyrtarizuar kandidati Ardian Shala dhe nga AAK Bali Muharremaj, ndërsa emrat e kandidatëve nuk i kanë zyrtarizuar PDK dhe LVV.

Pas fitores së LVV-së në Suharekë me rezultat 41,143% pritshmëria për një ndryshim të skenës politike në nivel lokal duket të jetë e madhe. Por, jo edhe patjetër duke marr parasysh edhe emrin e kandidaturës që kjo e fundit do të nxjerrë dhe përmbushjes së premtimeve nga niveli qendror që qeveriset nga kjo parti në njërën anë, dhe popullaritetit aktual që gëzon kryetari aktual i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj dhe mobilizimi e afirmimi i kandidatit të LDK-së në anën tjetër, që padyshim do të kenë ndikim në vendimarrjen e votuesve.

Kujtojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, javën e kaluar ka mbajtur takime konsultative me liderë të partive politike sa i përket shpalljes së ditës së zgjedhjeve të reja lokale, ku pas konsultimit i mbetet presidentes së Kosovës që të vendosë për datën e zgjedhjeve të reja lokale.