Në mesin e 11 anëtarëve të Bordit Këshilldhënës në luftën anti-COVID, edhe Besim Kodra nga Suhareka

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se ka themeluar Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër COVID-19, me prof. Dr. Lul Rakën kryesues.

Sipas ministrit Zemaj, bordi do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë këshilla të shpejta profesionale, me azhurnime të risive shkencore, opinione, parashikime, formulime të masave të reagimit, identifikim të mangësive për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e Covid-19.

Anëtarët e bordit vijnë nga fusha të ndryshme si: epidemiologjia, mikrobiologjia, praktika klinike, shëndetësia publike, shkenca e sjelljes, menaxhimi i krizave, mbrojtja civile, komunikimi, ekspertë vendor dhe ndërkombëtar.

Në mesin e 11 anëtarëve që do të jenë pjesë e këtij këshilli është edhe Besim Kodra i cili është nga Suhareka dhe aktualisht mban pozitën e menaxherit të programeve Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve.

I kontaktuar nga SuharekaOnline, Kodra ka bërë të ditur se për emërimin e tij në bord ka dëgjuar nga mediat dhe ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar.

Ndryshe Besim Kodra me profesion është jurist dhe është inicues i krijimit të Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë dhe një prej themeluesëve të saj. Ka qenë Drejtor i PRAK në periudhë 5 vjeçare, po ashtu  menaxher i projekteve të ndryshme.

Besimi është trajner për të drejtat e pacientëve, ku ka zhvilluar një numër të madh të trajnimeve për qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, gazetarë, punëtorë shëndetësor etj.

Është anëtarë i Bordit për Mbikëqyrje Etike dhe Profesionale në Ministrinë e Shëndetësisë, Anëtar i Grupit të Angofit për specializim të mjekëve familjarë, kryetar i Bordit të Organizatave për të Drejta në Shëndet Seksual dhe Riprodhues, anëtar i grupit punues të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 02/L-38 për Inspektoratin Shëndetësor, po ashtu edhe në shumë grupe tjera për plotësim/ndryshim të Ligjeve dhe të Udhëzimeve Adminsitrative në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Pjesmarrës në shumë nisma ligjore për shëndetësi dhe jo vetëm.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.