Afër vendit ku u zhvarrosën mbetjet mortore të 24 anëtarëve të familjes Berisha, ka nisur ndërtimi i kishës

21 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 49 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.

Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.

Mbetjet mortore të 24 anëtarëve të kësaj familjeje u zhvarrosën në vitin 2001, në Batajnicë, që ishte një ndër varrezat masive më të mëdha në Serbi të shqiptarëve të Kosovës.

E pranë vendit ku ishin zhvarrosur 24 anëtarët e familjes Berisha, ka filluar të ndërtohet kishë.

Gramos Berisha i mbijetuar i masakrës e ka quajtur vazhdim të mentalitet të regjimit Millosheviqit, duke i fshehur gjurmët dhe e konsideron të papranueshme ndërtimin e kishës në vend që të ndërtohet memorial.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD) e dënon aktin e ndërtimit të Kishës Ortodokse Serbe në Batajnicë, pranë lokacionit ku u gjetën në varrezë masive trupat e mbi 700 shqiptarëve të vrarë në vitin 1999 nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë.

“E konsiderojmë këtë një akt përçmimi të kishës dhe autoriteteve serbe ndaj viktimave shqiptare të këtij akti gjenocidal të Serbisë.

Në vend të ndërtimit të një pllake përkujtimore ndaj viktimave të pafajshme të varrosura në këtë vend ku ishin përpjekur ta fshehnin krimin shtetëror, Serbia vazhdon të provokojë me akte të tilla, si dhe refuzon të tregojë për fatin edhe të mbi 1600 shqiptarëve të tjerë të zhdukur gjatë luftës.

Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje paqeje e pajtimi mes Kosovës e Serbisë, derisa kjo e fundit nuk i pranon krimet e bëra ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe derisa nuk kërkon falje për këto krime, duke i ndjekur dhe dënuar shumë nga kriminelët e luftës që i ka amnistuar.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të jetë më e lehtë për të kur ajo të bëhet edhe si reflektim e pendim i Serbisë për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës” thuhet në reagimin e MPJ-së

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.