Mungesa e insulinave në QKMF-në e Suharekës, përgjigjen nga Ministria e Shëndetësisë

29.01.2021

Qytetarët e Suharekës të cilët kanë nevojë për insulinë duhet që të trokasin dyerve të barnatoreve për të blerë ato, pasi që Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare nuk është furnizuar me insulinë që nga fillimi i dhjetorit 2020. Në lidhje me këtë SuharekaOnline ka kontaktuar drejtoreshën e Shëndetësisë në Komunën e Suharekës, Besa Kuqi. Ajo […]

Mungesa e insulinave në QKMF-në e Suharekës, përgjigjen nga Ministria e Shëndetësisë Foto: Ilustrim

Qytetarët e Suharekës të cilët kanë nevojë për insulinë duhet që të trokasin dyerve të barnatoreve për të blerë ato, pasi që Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare nuk është furnizuar me insulinë që nga fillimi i dhjetorit 2020.

Në lidhje me këtë SuharekaOnline ka kontaktuar drejtoreshën e Shëndetësisë në Komunën e Suharekës, Besa Kuqi.

Ajo thotë se që nga dhjetori tre herë kanë bërë këkesë urgjente në Ministrin e Shëndetësisë pasiqë janë në mungesë të insulinave, mirëpo nga e njëjta ende nuk janë furnizuar.

“Kemi bërë kërkesa urgjente të vazhdueshme për furnizim me insulinë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ende jemi në pritje”, tregon ajo.

SuharekaOnline ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me mungesën e furnizimit të insulinave në QKMF-në e Suharekës.

Në përgjigjen e tyre ata kanë bërë të ditur se kjo ministri në stokun e saj ka të gjitha llojet e insulinave.

Ndërsa të pyetur se edhe pse QKMF e Suharekës ka bërë kërkesa të vazhdueshme për furnizim me insulinë dhe pse nuk janë furnizuar, në përgjigjen e tyre kanë bërë të ditur se QKMF-të duhet të koordinohen me Departamentin e Farmacisë të Ministrisë së Shëndetësisë që të furnizohen sipas numrit të pacientëve.