Muharremaj: Shqetësuese dalja e shumë qytetarëve, kam ftuar komandantin e policisë që të monitoroj situatën

Komuna e Suharekës tashmë është hequr nga zona e karantinimit. Kjo pas vendimit të Qeverisë së Kosovës e cila gjithashtu ka vënë në dispozicion edhe masat e reja të lëvizjes.

Por siç duket në Suharkekë këto masa kanë shtuar edhe lëvizjen e qytetarëve duke krijuar tollovi nëpër qytet. Të paktën kështu ka thënë i pari i Suharekës, Bali Muharremaj.

Muharremaj në një prononcim për Express ka thënë se e sheh si shqetësuese daljen e qytetarëve në masë të madhe, për çka ka ftuar edhe nga komandantin e policisë që të monitoroj situatën.

“Ne tash jemi hequr nga karantina. Unë sot po shoh shumë tollovi nëpër qytet. Unë e ftova komandantin e policisë që të monitoroj situatën me këto masat e reja, t’i shohin pikat. Edhe kjo javë për neve është shumë me rëndësi. Nuk ka vend për kënaqësi. Masat duhet që të vazhdojnë edhe tutje. Numri ka mundësi që të rritet, por nëse i respektojmë masat, numrat mund edhe më tutje të zvogëlohen”, tha ai.

E në komunën e Suharekës tashmë një person ka ndërruar jetë si pasojë e përballjes me Covid 19. Ndërkohë 35 persona të tjerë janë infektuar. Gjendja shëndetësore e tyre është e mirë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.