Muharremaj: S’është koha për zgjedhje, Specialja po bën luftë të padrejtë ndaj UÇK-së

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pjesë e Qeverisë Hoti, po e konsideron të papërshtatshme këtë periudhë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, njëherësh edhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk është koha për zgjedhje ngase vendi është duke u përballur me pandeminë.

“Po besoj që nuk është koha për zgjedhje, pasi që kemi një sfidë shumë të madhe përpara”.

Muharremaj sa i përket Gjykatës Speciale, tha se kjo çka po i ndodh Kosovës është e padrejtë, sepse është duke u bërë luftë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së.

“Kjo çka po i ndodh Kosovës nuk kisha dashur t’i ndodhë, sepse për Kosovën është duke u bërë një luftë e padrejtë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, ndaj shtabit për arsye se ne kemi bërë një luftë të drejtë”.

“Kështu që për mua kjo është krejt politikë dhe besoj që shumë shpejt të gjithë këta që kanë shkuar duke filluar nga kryetari i shtetit besoj që kanë për tu kthyer të jetojnë të lirë sepse nuk kanë bazë ligjore”.

Sipas Muharremajt e drejtë e çdo grupi parlamentar është ta ketë kandidatin për kryetar të shtetit.

“Unë besoj që Ramush Haradinaj i plotëson të gjitha kushtet të jetë kryetar shtetit, i cili ka pasur shumë sfida para vetes dhe i ka tejkaluar dhe po besoj që këtë sfidë në bashkëpunim me të gjitha partitë politike duhet të merren vesh dhe ta tejkalojnë këtë sfidë. Edhe PDK-ja do të mendojë gjërat që janë më të mira”.

“Për mua është me rëndësi interesi i qytetarëve dhe jo i partive në këtë moment. Për ta tejkaluar këtë sfidë kishte me qenë mirë të bashkohet edhe PDK-ja dhe mandej ka mundësi të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike. Nuk është koha për zgjedhje sepse jemi duke u përballur me pandeminë që është sfidë shumë e madhe për neve. Për mu mendoj që është mirë të vazhdojë kjo qeverisje dhe të bashkohet edhe PDK-ja, t’i kryejmë disa probleme që i kemi para vetes, ta kryejmë procesin e Hagës. Nuk janë duke u sulmuar individë, por është duke u sulmuar shteti për arsye se kanë qenë ata që kanë drejtuar shtetin për arsye se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.