Pasi që sot u bë vënia e gurëthemelit të shkollës “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Vraniq, Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj vazhduan vënien e gurëthemelit të shkollës “28 Nëntori” në fshatin Dobërdelan.
Të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, Heset Sahiti, zëvendësministrin e Administratës Publike, Sami Hajdaraj, drejtori i arsimit, Remzi Bytyqi dhe përfaqësues nga komuna, si dhe mësimdhënës dhe bashkëfshatarë, ku të gjithë se bashku përuruan gurëthemelin e shkollës “28 Nëntori”.
Sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, Kosova po ja kthen një borxh të madh fshatit Dobërdelan dhe Suharekës.

Po ashtu zv.kryeministri Limaj theksoi se kjo shkollë është një investim mbi 500 mijë euro nga Ministria e Arsimit dhe do t’i plotësojë nevojat e nxënësve.
“Kosova po ja kthen një borxh të madh Dobërdelanit dhe Suharekës. Në kohët më të vështira, nuk ka atdhetar që nuk ka lëvizur nëpër këtë fshat dhe këto familje çdo herë i kanë pasur dyert e hapura”, tha me këtë rast zv.kryeministri Limaj.
Po ashtu edhe kryetari i Komunës, Bali Muharremaj ka uruar fshatin për shkollën e re dhe ka falënderuar zëvendëskryeministrin Limaj dhe Ministrinë e Arsimit për këtë investim.
“Kjo sot është shkolla e dytë, është një gëzim në komunën tonë, shkolla e dytë që po fillon në fshatin Dobërdelan. Shpreh rastin t’i falënderoj qytetarët për punën dhe angazhimin para dje gjatë luftës, t’i falënderoj edhe për infrastrukturën që kanë dhënë para nga xhepi që kanë ndërtuar pas luftës. Kështu që, sot Suhareka feston”, tha Kryetari Muharremaj.