Aktuale

Mërgimtari nga Suhareka, me gjasa reale për asambleist komunal në Austri

Foto: Nisret Bujari

I pasur është bagazhi politik i bashkatdhetarit nga Badeni i Austrisë, Nisret Bujari, me prejardhje nga Suhareka.

Që nga ardhja e tij në Austri në vitin 1999, ai iu përvesh punës në fushën e gastronomisë, duke pasur mundësi që të krijojë kontakte me personalitete të ndryshëm të jetës politike në këtë vend alpik.

Që nga viti 2015, ai ka kaluar në sferën e kopshtarisë duke hapur një sipërmarrje të kopshtarisë. Mirëpo, ai nuk ndaloi me aktivitetet e tij politike në shumë sfera, duke bërë përpjekje për të integruar sa më mirë bashkadhetarët tanë. Kohëve të fundit, ai është duke bërë përpjekje për hapjen e një klubi në të cilin do të bëhej i mundshëm takimi sa më i shpeshtë me bashkatdhetarë dhe të huaj të tjerë, në mënyrë që t`u mundësohet integrimi në shoqërinë austriake.

Nisreti pohon se është shumë i afërt me partinë ÖVP të kryeministrit aktual, Sebastian Kurz, pasi ai ka kontribuar shumë për afirmimin e kësaj partie në forma të ndryshme të afrimit të personave të tjerë me këtë parti.

Aktualisht, nën numrin 37 Nisreti është duke u kandiduar në zgjedhjet e ardhshme komunale në asamblenë komunale, një hap ky shumë i rëndësishëm për shqiptarët e shumtë në këtë rrethinë, të cilët ai eventualisht do t`i përfaqësojë në synimet e tyre për një jetë më të lehtë në sistemin shoqëror austriak.

Lidhur me kontaktet eventuale me kryeministrin austriak, Nisreti deklaron se Sebastian Kurz e takon rregullisht kur ai e viziton Badenin. Të mbetemi me shpresë se shqiptarët në Austri do ta përkrahin në numër sa më të madh Nisret Bujarin, bashkatdhetarin që do të flijohet për të drejtat e tyre.