Me 18 vota kundër nuk kalon buxheti për vitin 2022, opozita kritikon qeverisjen Muharremaj

28.09.2021

Në fjalën e tyre përfaqësuesit e subjekteve politike kanë akuzuar qeverisjen aktuale të udhëhequr nga Bali Muharremaj për përfshirje të projekteve të interesit privat. Nexhat Ramadani nga LDK ka thënë se projektet janë bërë copy-paste pa e parë gjendjen në terren dhe se 80-90% e investimeve në buxhetin e vitit 2022 janë të dedikuara për […]

Me 18 vota kundër nuk kalon buxheti për vitin 2022, opozita kritikon qeverisjen Muharremaj Foto: Ilustrim

Në fjalën e tyre përfaqësuesit e subjekteve politike kanë akuzuar qeverisjen aktuale të udhëhequr nga Bali Muharremaj për përfshirje të projekteve të interesit privat.

Nexhat Ramadani nga LDK ka thënë se projektet janë bërë copy-paste pa e parë gjendjen në terren dhe se 80-90% e investimeve në buxhetin e vitit 2022 janë të dedikuara për rrugë, kur ne jemi dëshmitarë që pothuajse të gjitha rrugët kryesore dhe me interes publik janë përfunduar.

Gjithashtu Ramadani ka shprehur shqetësim se në projektbuxhet janë vendosur rrugë që nuk janë në interes publik dhe se janë rrugë private dhe të oborreve.

Tutje shefi i grupit të asambleistëve të LDK-së, Nexhat Ramadani, nga foltorja e asamblesë i ka bërë thirrje publike prokurorisë, pasiqë miliona euro po menaxhohen nga një njeri, sikur të ishte mbret.

Edhe Laureta Tafaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar kryetarin Muharremaj për imponim të buxhetit ndaj qytetarëve, me arsyetimin se gjatë këtyre katër viteve çdo shpenzim është bërë pa projekt në të mirën e qytetarëve. Tutje Tafaj ka thënë se kryetari është zhytur thellë në kurthin që i ka bërë vetvetes, duke bërë punë shkel e shko.

Akuza për devijim të projekteve nga ana e Muharremajt ka adresuar edhe asambleisti Bashkim Ndrecaj, i cili ndër tjera ka thënë se kjo është njëra ndër arsyet që nuk e lejon ta votojë këtë projekbuxhet.

Ardian Kotorri nga AAK ka kritikuar asambleistët për ofendimet që po përdoren ndaj kryetarit, duke ju bërë të ditur se e dinë që nuk janë mirë me sondazhe andaj e vetmja formë është edhe ofendimi, dhe se këtë gjuhë nuk e pranojnë qytetarët e Therandës.

Tutje Kotorri i ka quajtur të pabaza kritikat ndaj buxhetit, dhe mosvotimin e ka lërë në ndërgjegjen e asambleistëve.

Edhe Dugagjin Palushi në fjalën e tij për buxhetin ka shprehur mendim të njëjtë me parafolësit, duke shtuar se planifikimi i buxhetit bëhet në baza klienteliste dhe se qytetarët e komunës sonë gjatë kësaj qeverisje nuk janë trajtuar të barabartë, që bi ndesh edhe me ligjin.

Shefi i grupit të asambleistëve të PDK-së, Jeton Rrakaqi, fillimisht ka thënë se grupi që ai përfaqëson vazhdimisht i ka qëndruar karshi projekteve që janë në interes të qytetarëve. Tutje ai ka akuzuar Muharremajn se ka shkelur ligjin duke rrezikuar jetën e njerëzve në misione që nuk i kanë takuar.

Ndër tjera Rrakaqi e ka quajtur skandaloze faktin që 21 vite Suhareka nuk ka plan urbanistik. Rrakaqi akuzat i ka vazhduar edhe për cilësinë e dobët të punimeve.

Në fjalën e tij pas akuzave të asambleistëve kryetari Muharremaj paraprakisht ka falënderuar ata për punën dhe bashkëpunimin gjatë këtyre katër viteve, dhe se të gjitha dëgjimet publike për buxhet janë mbajtur në afat.

Muharremaj nuk është marr fare me akuzat e asambleistëve, madje ato i ka quajtuar kritika dhe këshilla, duke iu thënë se me mosvotimin e buxhetit nuk dëmtohet ai por qytetarët.

Pas debatit është hapur votimi ku me 18 vota kundër dhe 10 pro nuk ka kaluar projektbuxheti për vitin 2022.