Marrëveshja e Washingtonit, për herë të parë verërat kosovare eksportohen në Serbi

27.11.2020

Verërat e prodhuara në Kosovë do të bëhen për herë të parë pjesë e tregut të Serbisë. Kjo nismë është bërë në kuadër të Javës së Biznesit Kosovar 2020 në Suharekë, ku veraria, ”Agro Kosova Holding”, nis zyrtarisht eksportin në Serbi. Kryeministri Avdullah Hoti, tha se po vazhdon implementimi i një pike tjetër të marrëveshjes […]

Marrëveshja e Washingtonit, për herë të parë verërat kosovare eksportohen në Serbi Foto: Ilustrim

Verërat e prodhuara në Kosovë do të bëhen për herë të parë pjesë e tregut të Serbisë.

Kjo nismë është bërë në kuadër të Javës së Biznesit Kosovar 2020 në Suharekë, ku veraria, ”Agro Kosova Holding”, nis zyrtarisht eksportin në Serbi.

Kryeministri Avdullah Hoti, tha se po vazhdon implementimi i një pike tjetër të marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës e Serbisë, e arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Pronari i verarisë “Agro Kosova Holding”, Haziz Tafaj deklaroi se si kompani kanë nënshkruar kontratë për t’i eksportuar 1 milion litra verë për Serbi.

“Një treg i ri këtë vit është edhe Serbia. Në Shtator e kemi nënshkruar një kontratë edhe për 1 milion litra me i eksportu në Serbi. Kjo është ndihmuar me relaksimin e raporteve nga marrëveshja e Uashingtonit. Sot po e fillojmë implementimin e asaj marrëveshje”, tha pronari i fabrikës, Haziz Tafaj.

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti tha se mbi 80% e prodhimit do të eksportohet jashtë vendit.

“Bashkë me anëtarët e kabinetit jemi këtu për t’i dhënë mbështetje prodhimit vendor, sidomos kur eksportohet jashtë. Rreth 70%-80% e prodhimit del jashtë me shënimin “Made in Kosova”, kjo është e rëndësishme”, tha Hoti.