LVV- Therandë: AAK po përdor institucionet për interesa elektorale
Lëvizja Vetëvendosje (VV) në Therandë ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me atë që e cilëson si vazhdim të praktikave të vjetra dhe të dëmshme të pushtetit lokal të udhëhequr nga kryetari i komunës, Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
VV pretendon se pak muaj para zgjedhjeve lokale të tetorit, qytetarët e Suharekës po dëshmojnë një fushatë të hapur punësimesh partiake dhe klienteliste.
Sipas VV-së, dje është bërë publik emërimi i një personi në pozitën e zëvendësdrejtorit të Gjimnazit “Jeta e Re”, i cili njihet për mbështetjen e tij të fuqishme publike ndaj kryetarit Muharremaj. VV thekson se ky person, i cili nuk heziton të shfaqë mbështetjen për AAK-në edhe në rrjetet sociale, tani po shpërblehet me një pozitë publike, duke anashkaluar çdo proces transparent dhe meritor.
Në reagimin e tyre, VV thekson se kjo nuk është befasi, por vazhdim i një modeli të keqqeverisjes që sipas tyre bazohet në forcimin e lidhjeve partiake dhe përdorimin e institucioneve publike për interesa personale dhe elektorale, e jo në shërbimin ndaj qytetarëve.
“Këto veprime tregojnë qartë frikën e qeverisjes aktuale nga humbja e pushtetit dhe përpjekjen për ta përdorur administratën publike si kapital elektoral. Kjo është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të komunës sonë,” thuhet në deklaratën e VV-së.
VV bëhet zotim se do të vazhdojë të denoncojë çdo formë të keqpërdorimit të pushtetit dhe do të punojë për një qeverisje të drejtë, transparente dhe me integritet, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Suharekës.
“Qytetarët meritojnë institucione që i shërbejnë atyre, e jo poste që shërbejnë si shpërblime partiake!” përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Therandë.