LVV: Tenderi i pezulluar nga OSHP, ka të dhëna kontradiktore që kjo kontratë është tentuar të kurdiset

Të martën SuharekaOnline kishte raportuar se OSHP-ja ka pezulluar tenderin për ndërtimin e shtegut të ecjes dhe 10 parqeve në fshatrat e Komunës së Suharekës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! dega në Suharekë ka reaguar lidhur me procesin e tenderimit të këtij projekti ku sipas saj janë gjetur të dhëna kontradiktore që kjo kontratë është tentuar të kurdiset.

“Në dosjen e këtij tenderi, Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Therandë ka gjetur disa të dhënë kontradiktore që kjo kontratë është tentuar të kurdiset, e kur e shtojmë faktin që fitues i këtij tenderi është shpallur firma e një militanti të AAK-së tashmë të njohur, detyrohemi të ndajmë shqetësimin me opinionin.

Në dosjen e këtij tenderi tek kapacitetet teknike-profesionale ka kërkesa të cilat nuk janë kërkuar në tender të tjerë, të ngjashëm për nga puna, që janë realizuar deri tani. Si të tilla këto kritere kanë qenë diskriminuese për disa Operator Ekonomik të tjerë, si p.sh kërkesa për makineritë e punës e cila është e specifikuar me tonazh si p.sh kërkesa për eskavator 24 ton, kërkesë shumë specifike dhe rrjedhimisht penalizuese!

Kërkesë tjetër e dyshimt është kërkesa për një ekolog, si dhe për një Inxhinier apo master për menaxhimin e emergjencave, që është i çertifikuar për menaxhimin e shëndetit dhe sigurisë në punë (të till në Kosovë ka jashtëzakonisht pak)! Kërkesë tjetër interesante është certifikatë nga prodhuesi për pllaka të cilat kërkohen të jenë të testuara sipas standartit EN 13748-2! Nga firmat ofertuese janë bërë tri ankesa në Komunë, të cilat janë refuzuar, por vendimet nuk janë publikuar me kohë, pasi që njëra firmë ka vazhduar ankesën në OSHP, Komuna ka ndërhyrë në sistemin elektronik duke i publikuar vendimet pas orarit të punës.

Nga fakti që ky tender është pezulluar nga OSHP-ja, dhe nga dyshimet e tjera të paraqituar mund të konkludojmë që ky tender jo vetëm që është kurdisur për nga kriteret por edhe firma fituese dyshohet si papërgjegjshme” thuhet në reagimin e LVV-së.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.