LVV: LDK dhe AAK nuk marrin përgjegjësi për dështimin në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”

Lëvizja Vetëvendosje dega në Suharekë përmes një reagimi ka akuzuar LDK dhe AAK për mospërgjegjësi në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”.

“LDK dhe AAK nuk marrin përgjegjësi për dështimin e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës, vetëm kërkojnë ngritjen e buxhetit për ndërimin e saj

Pas dështimit të kontratës së parë, më 10 korrik të vitit 2019 rifilloi ndërtimi i “Shtëpisë së Kulturës UKË BYTYQI”, me kontratën e dytë. Kohëzgjatja e punimeve parashihej që të jetë 90 ditë.

SuharekaOnline ditë më parë kishte reaguar se kanë kaluar 365 ditë dhe ende nuk kanë përfunduar punimet.

Më datë 24 dhjetor 2019 është nënshkuar kontrata për punë shtesë në vlerën 10% të kontratës së parë.

Nga raporti i auditimit për vitin 2019, mësojmë që projekti për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës nuk është përfshirë në projektet e planifikuara në planin e prokurimit. Sipas raportit, tenderimet jashtë planit të prokurimit duke mos njoftuar Agjensinë Qendrore të Prokurimit (AQP) mund të ndikojnë me shpenzim jo efikas të buxhetit dhe gjithashtu pasqyrojnë mungesë të vlerësimit të nevojave dhe planifikim të dobët të kërkesave.

Dështimi i kontratës së parë do të duhej të ndikonte tek zyrtarët e Komunës së Therandës që këtë projekt ta trajtonin shumë më seriozisht, por kur qëllim është edhe keqpërdorimi atëherë ndodhë që mos t’i kushtohet rëndësia e duhur.

Edhe përkundër këtyre dy kontratave të dështuara, e për të cilat janë përgjegjëse edhe qeverisja e tanishme e AAK-së edhe ajo e kaluara e LDK-së në Komunën e Therandës, këto dy subjekte aktualisht në qeverisje në nivel nacional, më me prioritet e kanë që t’i nxjerrin edhe 187.000 euro shtesë se sa të marrin përgjegjësi për dështimin e kontratave dhe për vonesat” thuhet në reagimin e VV-së.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.