Lirohen nga akuza për korrupsion drejtoresha e Inspekcionit dhe inspektori i ndërtimit në Suharekë

31.08.2023 Suharekë
Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim lirues ndaj drejtoreshës së Inspekcionit në Suharekë, Jehona Rrafshi- Lumi dhe inspektorit të ndërtimit Hafir Maliqaj, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha.
Gjykatësja Krusha tha se të akuzuarit Rrafshi- Lumi dhe Maliqaj i liron nga akuza në mungesë të provave, pasi sipas saj nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën që iu vihej në barrë.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit janë liruar edhe nga shpenzimet e procedurës penale dhe pagesa për kompensimin e viktimave të krimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohej me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohej me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.