Ligji anti-COVID, Policia e Suharekës dënon 159 qytetarë për 12 ditë

12.03.2021

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë në javën e dytë të muajit mars të këtij viti ka shënuar rritje të dukshme, duke krahasuar me javët e kaluara. Që nga fillimi i pandemisë me këtë virus deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 75.380 raste pozitive, prej të cilave 63.380 janë shëruar, fatkeqësisht 1.682 […]

Ligji anti-COVID, Policia e Suharekës dënon 159 qytetarë për 12 ditë Foto: Ilustrim

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë në javën e dytë të muajit mars të këtij viti ka shënuar rritje të dukshme, duke krahasuar me javët e kaluara.

Që nga fillimi i pandemisë me këtë virus deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 75.380 raste pozitive, prej të cilave 63.380 janë shëruar, fatkeqësisht 1.682 të tjerë e kanë humbur betejën nga COVID-19, ndërsa numri i rasteve aktive është 10.318.

Në mesin e të infektuarve kanë qenë edhe disa pjestar të Policisë së Kosovës, të cilët që nga konfirmimi i rasteve të para me COVID-19 kanë qenë ndër të parët të cilët janë përballur me këtë virus.

Por si është gjendja me pandeminë COVID-19 në Stacionin Policor në Suharekë?

Komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj në një prononcim për SuharekaOnline ka bërë të ditur se gjendja në stacionin policor në Suharekë sa i përketë pandemisë COVID-19 është e qetë dhe stabile.

Sylaj ka treguar se aktualisht një zyrtarë policor është në izolim pasi që i njëjti ka qenë i infektuar me COVID-19, ku ka shtuar se gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe së shpejti do të kthehet në punë.

Ligji anti-COVID, sa qytetarë u gjobitën për 12 ditë në Komunën e Suharekës?

Që nga muaji gusht i vitit 2020, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba për të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët nuk i kanë respektuar ligjin anti-COVID, ligj ky i miratuar nga qeveria, e që për qëllim ka parandalimin dhe menaxhimin e situatës me COVID-19.

Ndërsa, Komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj ka thënë për SuharekaOnline se në 12 ditët e fundit Policia e Suharekës ka dënuar 159 qytetarë në bazë të ligjit anti-COVID.

Rikujtojmë se vetëm gjatë ditës së enjte në Komunën e Suharekës janë identifikuar 12 raste pozitive me COVID-19.