LDK-ja pretendon t’i fitojë 14 komuna, në fokus edhe ajo e Suharekës

13.08.2021

Përderisa kanë mbetur rreth dy muaj që kur qytetarët e vendit do të kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në nivel komunal, në teren shihet që partitë kanë intensifikuar aktivitetin politik. Pothuajse secili përfaqësues politik është i bindur në fitoren e partisë së tij duke pritur një performancë më të mirë nga zgjedhjet lokale […]

LDK-ja pretendon t’i fitojë 14 komuna, në fokus edhe ajo e Suharekës Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Përderisa kanë mbetur rreth dy muaj që kur qytetarët e vendit do të kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në nivel komunal, në teren shihet që partitë kanë intensifikuar aktivitetin politik.

Pothuajse secili përfaqësues politik është i bindur në fitoren e partisë së tij duke pritur një performancë më të mirë nga zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Sipas anëtarit të kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, pritjet janë që kjo parti të fitojë 14 komuna, gjithmonë duke ruajtuar pushtetin në komunat që qeverisin aktualisht.

Në Interaktiv të KTV-së Manaj ka bërë të ditur që fokusi më i shtuar i LDK-së është në Komunën e Prishtinës, Klinës, Suharekës, Podujevës, pasi që sipas tij qëndrojnë më mirë në këto komuna.

Gjithsesi Manaj nuk ka përjashtuar që në shumicën e komunave LDK do të shkojë në balotazh, por megjithatë pritshmëria është që nga zgjedhjet e 17 tetorit të dalin me shumicën e komunave.

Kujtojmë se në Komunën e Suharekës, dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet lokale garon me Ardian Shalën, si kandidat për kryetar komune.