Kurti e Osmani bëjnë homazhe në Suharekë në 22 vjetorin e masakrës së familjes Berisha

Kurti e Osmani bëjnë homazhe në Suharekë në 22 vjetorin e masakrës së familjes Berisha
Eurolinda Zenelaj

26.03.2021 / Suhareka

Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga kandidatja për presidente Vjosa Osmani kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial për viktimat e familjes Berisha, në 22 vjetorin e kësaj masakre.

Kurti i shoqëruar nga Vjosa Osmani, Vasfije Krasniqi dhe Saranda Bogujevci sot gjithashtu kanë vizituar edhe lokalin në të cilin janë vrarë 52 antarë të familjes Berisha në Suharekë, e që sot është kthyer në muze, raporton SuharekaOnline.

Kurti në fjalën e tij ndër tjerash ka thënë se e ardhmja e Republikës së Kosovës varet shumë nga kujtesa kolektive dhe se në dialogun me Serbinë çështja e të pagjeturve është prioritet.

“Nuk mund të kemi të ardhme të sigurt, paqe e qetësi derisa nuk e kemi drejtësinë, e cila jo vetëm na është vonuar, por edhe për shkak se nuk ka filluar ende”.

“Si kryeministër i ri, bashkë me presidenten në ardhje, Vjosa Osmani do të bëjmë çmos që këtyre familjeve që paguan çminim kaq të lartë për liri dhe pavarësi t’iu dalim në ndihmë të jemi përkrah tyre edhe sa i përket traumave, humbjeve e vuajtjeve që kanë përjetuar, por edhe sa i përket aktivizimit sa më të madh të madh të sistemit të drejtësisë, veçanërisht prokurorisë që kriminelët të përfundojnë prapa grilave”.

“Serbia pas vrasjeve që kreu këtu me forcat e saj i rrëmbeu edhe kufomat dhe u përpoq të varros të vërtetën, por ajo u rishfaq në liqenet e saj nga kamionat që nuk ngeleshin dot në thellësi të ujërave”, tha Kurti.

Ndërsa, kanidatja për presidente, Vjosa Osmani në fjalën e saj ndër tjerash ka thënë se ofshamat e nënave që kanë humbur fëmijët e tyre duhet të jenë udhërrëfyes për të kërkuar drejtësi.

“Është vështirë të përshkruhet me fjalë diçka që në fakt është e papërshkrueshme, sepse dhimbja e një nëne për humbjen e fëmijevë të vet në mënyrë aq të egër dhe të pashembullt siç ka qenë krimi serb kundër familjes Berisha dhe masakrat që regjimi gjenocidal serb i ka kryer anë e kënd Kosovës nuk ka mënyrë që të përshkruhen me fjalë sepse është dhimbje e papërshkrueshme. Le të jetë ofshama e nënave për këto plagë, që akoma pikojnë gjak, udhërrëfyes i jonë i përhershëm në kërkesën tonë për drejtësi. Kosova nuk mund dhe nuk do të harrojë kurrë”.

Ajo ka deklaruar se nuk duhet reshtur kurrë së kërkuari dhe punuari për ta sjellë drejtësinë për të gjitha krimet makabre që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

RAPORTO