Kuqi: QKMF e Suharekës nuk u furnizua me material shpenzues, 2027 qytetarë mbi 80 vjeç në listën për vaksinim

09.04.2021

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Komunën e Suharekës është duke u ballafaquar me mungesë të materialit shpenzues dhe medicinal pasi furnizimi i fundit nga Ministria e Shëndetësisë është bërë në muajin nëntor të vitit të kaluar. Kështu të paktën ka bërë të ditur drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Suharekës, Besa […]

Kuqi: QKMF e Suharekës nuk u furnizua me material shpenzues, 2027 qytetarë mbi 80 vjeç në listën për vaksinim Foto: Ilustrim

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Komunën e Suharekës është duke u ballafaquar me mungesë të materialit shpenzues dhe medicinal pasi furnizimi i fundit nga Ministria e Shëndetësisë është bërë në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Kështu të paktën ka bërë të ditur drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Suharekës, Besa Kuqi.

Kuqi në një prononcim për KosovaPress ka kërkuar që sa ma shpejtë të pajisjen me medikamentet dhe materialet nga lista esenciale me qëllim që t’i ofrojnë të gjitha shërbimet ashtu si duhet për pacientët.

“Ne si Komunë dhe si drejtori (e Shëndetësisë) vazhdimisht kemi bërë kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë si për furnizim me material shpenzues po ashtu edhe me material medicinal. Më vjen keq të them por thuajse nuk jemi furnizuar për gati tre muaj me material asgjë, ato çka jemi furnizuar disa barna kanë qenë edhe afër afatit të skadimit. Ne me buxhetin tonë vetanak i kemi shfrytëzuar në maksimum, çdo qytetar i kemi ofruar atë që kemi pasur si infuzione, pambuk, flastera, mos të themi sisteme. Prej nëntorit të 2020 nuk jemi furnizuar, në vitin 2021 javën që shkoi apo nëse nuk gabohem dy javë, jemi furnizuar por shumë pak, infuzione jo, pambuk jo, filma të rëntgenit jo, dihet që filmat e rëntgenit kanë pasur shpenzime enorme, i kanë tejkaluar parashikimet e buxhetit por ne çka kemi bërë e kemi digjitalizuar këtë pjesë e kemi bërë me CD”, theksoi ajo.

Gjithashtu drejtoresha Kuqi ka folur edhe për procesin e vaksinimit ku ka thënë se nga ana e drejtorisë që ajo udhëheq janë bërë të gjitha përgatitjet dhe janë në dispozicion me të gjitha kapacitetet.

“Ne i kemi bërë listat për vaksinim anti-COVID, mbi moshën 80-vjeçare janë 2 mijë e 27 persona, po ashtu e kemi për obligim t’i vaksinojmë sipas rekomandimeve të ministrisë edhe banorët rezidentë të shtëpisë së pleqve”.

Ndryshe sipas orarit të publikuar nga MSH sot do duhej të fillonte vaksinimi i personave mbi 85 vjeç edhe në Komunën e Suharekës, mirëpo kjo e fundit ende nuk është furnizuar me vaksina.