Kufizimi i lëvizjes, komandanti Afrim Sylaj jep detaje…

Mbrëmjen e së hënës Qeveria e Kosovës ka marr vendim të ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00.

Se si ka filluar të zbatohet ky vendim në Komunën e Suharekës tregon komandanti i stacionit policor në Suharekë, Afrim Sylaj.

Në një prononcim për SuharekaOnline komandanti Afrim Sylaj ka treguar se vendimi ka filluar të zbatohet edhe në Komunën e Suharekës dhe në bazë të zingjirit komandues.

Tashmë njësitë të policisë kanë dalë në pikat ku po bëjnë ndalimin e qarkullimit të automjeteve dhe qytetarëve.

Njëherit Sylaj ka kërkuar nga qytetarët mirëkuptim dhe respektim të masës së vendosur nga Qeveria dhe vazhdimisht ka bërë apel që të qëndrojnë në shtëpi.

“Policia e Kosovës po bënë atë që ka për detyrë në bazë të vendime nga zingjiri komandues për tu përballur me situatën e krijuar me rastin e pandemisë me virusin covid-19 dhe njëkohësisht kërkojmë mirëkuptim tek qytetarët në zbatimin e masave” ka përfunduar Sylaj.

Policia e Kosovës referuar situatës dhe rrethanave të krijuara në vendin tonë nga pandemia, coronavirusi COVID-19, me kohë ka hartuar urdhrin operativ të cilin  tanimë e ka në implementim, ku të gjitha aktivitetet dhe masat i ndërmerr në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave të harmonizuara sipas planit për gatishmëri dhe reagim.