Kryetari Muharremaj prezanton kandidaturën e ish-kapitenit të FC “Ballkani”, Visar Berisha, për Asamblenë Komunale
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka prezantuar kandidaturën e Visar Berishës për Asamblenë Komunale të Suharekës nga radhët e AAK.
Berisha, i njohur për karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme në futboll, ka qenë kapiten i FC “Ballkani” dhe në vitin 2008 është shpallur Futbollisti më i mirë në Kosovë. Komuna e Suharekës e ka nderuar tri herë me titullin “Sportisti i Vitit”, ndërsa është shpërblyer edhe nga Komuna e Prishtinës si Sportisti më i mirë.
Gjatë karrierës, ai ka luajtur për disa klube të njohura, përfshirë FC “Ballkani”, “Prishtinën”, “Lirinë”, “Drenicën” si dhe ekipet zvicerane “Winterthur” dhe “Schaffhausen”.
Pas përfundimit të karrierës sportive, Visar Berisha ka vendosur të angazhohet në jetën publike, duke synuar të përfaqësojë qytetarët e Suharekës në vendimmarrjet komunale.