Brenda 1 jave, rreth 100 persona janë lajmëruar si të papunë në Zyrën e Punësimit në Suharekë

Aplikimi i qytetarëve për tu regjistruar si të papunë ka filluar të rritet pranë Zyrës së Punësimit në Suharekë.

Drejtuesit e kësaj Zyreje, kanë pohuar shpërndarjen dhe pranimin e aplikacioneve nga qytetarët, që synojnë të përfitojnë si të papunë nga pakoja fiskale emergjente e Qeverisë së Kosovës.

Në një përgjigje për SuharekaOnline, zyrtarja për shërbime të punësimit në zyrën e punësimit në Suharekë, Mehreme Luzha, ka treguar që numri i të interesuarëve është i shtuar pavarësisht situatës me pandeminë.

“Kështu që nga 8 prilli e deri më sot rreth 100 persona janë lajmëruar si të papunë dhe kanë tërhequr aplikacionet” thuhet në përgjigjen e zyrtares për shërbime të punësimit, shkruan SuharekaOnline.

Ky interesim ka ardhur pasiqë Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon Emergjente, si një infuzion për mbështetjen e ekonomisë së vendit ku ndër to edhe sektorit privat, personave të papunë.

Ndryshe në krahasim me vitin 2018 në vitin 2019 numri i punëkërkuesve në Komunën e Suharekës është rritur për 342 persona, ku kjo zyre ka të regjistruar 7690 punëkërkues ku prej tyre 4230 janë punëkërkues pasiv ndërsa 3460 janë punëkërkues aktiv.

RAPORTO