Komunat e Kosovës kërkojnë shkurtimin e fazës së dytë dhe kalimin në fazën e tretë të masave ndaj covid-19

23.05.2020

Duke marrë si shkas kalimin nga faza e para në të dytën dhe trendet pozitive që janë duke u zhvilluar dhe hapat pozitiv që janë duke u ndërmarrë në parandalimin e përhapjes së COVID 19, Kryetarët e Komunave vlerësojnë se ekziston mundësia dhe parakushtet që të shikohet mundësia e shkurtimit të fazës së dytë të […]

Komunat e Kosovës kërkojnë shkurtimin e fazës së dytë dhe kalimin në fazën e tretë të masave ndaj covid-19 Foto: Ilustrim

Duke marrë si shkas kalimin nga faza e para në të dytën dhe trendet pozitive që janë duke u zhvilluar dhe hapat pozitiv që janë duke u ndërmarrë në parandalimin e përhapjes së COVID 19, Kryetarët e Komunave vlerësojnë se ekziston mundësia dhe parakushtet që të shikohet mundësia e shkurtimit të fazës së dytë të masave.

Kryetarët kërkojnë që masat të rishikohen vetëm në përputhje me situatën, e cila situatë është duke u vlerësuar si pozitive për rishikimin e masave të fazës së dytë që është duke u larguar nga rreziku i shëndetit publik. Në këtë drejtim, duke u nisur edhe nga parimi edhe situata aktuale ekonomike, me tendenca që të kemi rënie të theksuar ekonomike, vlerësojmë se do të duhej që faza e dytë të rishikohet dhe që të shkurtohet. Humbjet ekonomike tashmë mund të jenë shumë të mëdha.

Në anën tjetër, buxhetet komunale përbëhen nga grantet qeveritare, investimet kapitale qendrore dhe të hyrat vetanake. Të hyrat kryesore vetanake të komunave përbëhen nga: tatimi në pronë, lejet e ndërtimit dhe taksat komunale.

Këto të hyra kanë rënë ndjeshëm dhe nëse vazhdohet edhe më tutje me masa të fazës së dytë, së pari dëmtohen bizneset të cilat për një ditë që nuk punojnë kanë humbje financiare të konsiderueshme por edhe buxhetet komunale do të pësojnë nga mos-mundësia e operimit të bizneseve.

Së dyti, ne mendojmë që me lehtësimin edhe të mëtutjeshme të masave qytetarët do të fillojnë të paguajnë edhe obligimet ndaj komunave e të cilat obligime do e ngrisin inkasimin e të hyrave vetanake e të cilat mjete do të investohen në projekte të cilat do e përmirësojnë jetën e qytetarit.

Kryetarët e Komunave, me këtë rast kërkojnë, që të vlerësohet ideja e shkurtimit të fazës së dytë dhe kalimit në fazën e tretë.