Komuna e Suharekës organizon nesër “Dyer të Hapura për fëmijët”
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka ftuar të gjithë fëmijët e komunës në një ditë të veçantë argëtimi dhe aventure që do të organizohet nesër, më 30 maj, duke filluar nga ora 09:00.
Përmes një njoftimi në Facebook, kryetari Muharremaj ka shprehur entuziazmin për këtë ngjarje të dedikuar fëmijëve.
“Fëmijë të dashur, Komuna e Suharekës ju fton nesër më 30 Maj nga ora 09:00, në një ditë të paharrueshme plot argëtim dhe aventura,” shkruan Muharremaj.
Ngjarja “Dyer të Hapura për fëmijët në Komunë!” do t’u ofrojë fëmijëve mundësinë të njihen nga afër me institucionet lokale, të takojnë policët, zjarrfikësit, punëtorët e pastrimit, mjekët dhe infermierët.
“Ejani të njiheni me institucionet tona lokale, të takoni policët tanë të guximshëm dhe zjarrfikësit tanë heroikë. Do ta takoni punëtorët e zellshëm, që e pastrojnë ambientin tonë që ju të luani në ambient sa më të shëndetshëm. Do ta takoni mjekun/en dhe teten infermiere tek autoambulanca dhe më s’do ta keni frikë, sepse ju jeni trima dhe trimëresha,” thuhet në njoftim.
Fëmijët do të kenë gjithashtu mundësinë të shohin nga afër vendin ku janë kurorëzuar prindërit e tyre dhe të njihen me punën e arkitektëve.
Kryetari Muharremaj ka premtuar edhe dhurata dhe surpriza të shumta, lojëra, muzikë dhe kërcime për të gjithë të pranishmit.
“Kemi përgatitur shumë dhurata dhe surpriza për të gjithë ju! Do të ketë lojëra, muzikë, kërcime dhe shumë argëtim,” përfundon njoftimi i kryetarit.
Të gjithë fëmijët e Suharekës janë të ftuar të marrin pjesë në këtë ditë të dedikuar për ta.