KKZ në Suharekë mban takim informues me partitë politike, OJQ-të dhe mediat
Në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) në Suharekë ka mbajtur një takim të rëndësishëm informues me përfaqësues të partive politike, organizatave joqeveritare dhe mediave lokale.
Takimi u zhvillua në Sallën e Kuvendit Komunal(te)parku, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt transparencës dhe përgatitjeve gjithëpërfshirëse për procesin zgjedhor.
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të kryesuesit të KKZ-së, z. Skender Qelaj, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes së të gjitha palëve në përgatitjen e një procesi të drejtë dhe të besueshëm.
Gjatë takimit, u prezantua ecuria e përgatitjeve zgjedhore, përfshirë funksionalizimin e Qendrave të Votimit dhe Qendrës Komunale të Numërimit, afatet për ndërrimin e Qendrës së Votimit, si dhe procedurat për kundërshtimin dhe konfirmimin e listës së votuesve. Po ashtu, u bë e ditur se certifikimi i subjekteve politike dhe akreditimi i vëzhguesve dhe mediave janë në proces e sipër.

Një pjesë e veçantë iu kushtua regjistrimit të votuesve jashtë vendit dhe personave me nevoja të veçanta, duke theksuar domosdoshmërinë që këta qytetarë të mos mbesin jashtë procesit demokratik.
Në vijim, u diskutua edhe për fushatën informuese që pritet të zhvillohet në muajt në vijim, me qëllim që qytetarët të jenë sa më të informuar për të drejtën e votës dhe mënyrat e pjesëmarrjes. KKZ vuri theks të veçantë në rolin e OJQ-ve, mediave dhe vetë subjekteve politike për të promovuar pjesëmarrje të gjerë dhe të barabartë në zgjedhje.

Pjesa e dytë e takimit iu kushtua një diskutimi të hapur me pjesëmarrësit, ku u ngritën pyetje dhe shqetësime rreth aspektit organizativ, transparencës dhe sigurisë së procesit zgjedhor. U kërkua një bashkëpunim më i madh ndërmjet institucioneve dhe aktorëve lokalë për të rritur besimin publik në procesin elektoral.
Takimi u përmbyll me një përmbledhje të diskutimeve dhe me konkluzione konkrete për hapat e mëtejshëm, duke theksuar koordinimin e vazhdueshëm midis KKZ-së dhe të gjitha palëve të përfshira.