Në fokus të takimit ishin tema të ndryshme që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve, duke filluar nga vjedhjet, siguria në shkolla e deri te projektet e infrastrukturës.

Pas miratimit të procesverbalit nga mbledhja e kaluar, Komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, Afrim Syla, ka raportuar dhe analizuar gjendjen e vjedhjeve në komunë. Takimi ka vazhduar me diskutime të gjera mbi monitorimin dhe raportimin e nivelit të sigurisë në shkolla, si dhe zbatimin e planit operativ për këtë qëllim.

Anëtarët e KKSB-së kanë shkëmbyer informacione dhe kanë diskutuar për projektet e infrastrukturës dhe shërbimeve që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve. Gjithashtu, është zhvilluar një ligjëratë për parandalimin e përdorimit të duhanit dhe dukurive të tjera negative në shkollat e mesme.

Në fund të takimit, janë dhënë disa rekomandime, duke përfshirë vazhdimin e bashkëpunimit mes policisë, institucioneve dhe komunitetit, si dhe prezencën e shtuar të policisë në ambientet afër shkollave dhe stacionit të autobusëve.

Po ashtu, është kërkuar shenjëzimi i rrugës kryesore në qytet (te sheshi) dhe në rrugën Skënderbeu. Lidhur me parandalimin e dukurive negative në shkolla, është propozuar mbajtja e ligjëratave në tri shkolla të mesme, ku mjekë dhe psikologë do të ofrojnë këshilla përkatëse.

https://www.facebook.com/KomunaSuharekeZyrtare/posts/pfbid0acNMaErEQjAMKHW2mCrsQUGk4ryr5AuXWbFZMPtTJSfxzT4M7h3ft43NzN2hfWJTl