Ka filluar identifikimi i mërgimtarëve që erdhën nga Italia në Suharekë
Ditë më parë SuharekaOnline kishte raportuar se mbi 50 qytetarë të Suharekës që jetojnë në Itali kanë ardhur në Suharekë ditëve të fundit. Në periudhën kohore prej 22 shkurt-5 mars, 22 persona nga Theranda kanë hyrë në pikën kufitare në Vërmicë të ardhur nga Italia kishte deklaruar Drejtori Komunal për Shëndetësi në Prizren, Visar Shehu për SuharekaOnline. E mbi 30 […]
Ditë më parë SuharekaOnline kishte raportuar se mbi 50 qytetarë të Suharekës që jetojnë në Itali kanë ardhur në Suharekë ditëve të fundit.
Në periudhën kohore prej 22 shkurt-5 mars, 22 persona nga Theranda kanë hyrë në pikën kufitare në Vërmicë të ardhur nga Italia kishte deklaruar Drejtori Komunal për Shëndetësi në Prizren, Visar Shehu për SuharekaOnline.
E mbi 30 është raportuar që kanë ardhur përmes rrugëve ajrore. E për identifikimin e këtyre qytetarëve dhe parandalimin e përhapjes së koronavirus covid-19 drejtori i QKMF-së në Suharekë, Salih Bytyçi ka thënë se deri të hënën paradite kanë rënë në kontakt me 37 mërgimtarë, të cilëve u është rekomanduar të vetizolohen në shtëpitë e tyre.
Si masë tjetër Dr.Salih Bytyçi ka thënë se në objektin e QKMF-së është bërë edhe ndarja e disa dhomave në rast se paraqitet ndonjë person me koronavirus.
Gjithashtu Komuna e Suharekës ka kërkuar nga kryetarët e fshatrave që të bëjnë identifikimin e personave që kanë ardhur nga vendet me rrezik të lartë.
Të martën Komuna e Suharekës në bashkëpunim me disa nga bizneset lokale kanë filluar aksionin për dezinfektimin e të gjitha rrugëve në qytet dhe në të gjitha fshatrat e qytetit.
“60 mijë litra solucion dezinfektues do të shpërndahen në të gjitha rrugët e qytetit dhe fshatrave të Suharekës” ka bërë të ditur Drejtori i Shërbimeve Publike, Enver Shabani për SuharekaOnline.
Ai ka shtuar se ky aksion është falë ndihmës së kompanisë Frutex, AgroKosova Holding, Solid dhe së bashku me zjarrfikësit po bëhet shpërndarja e dezinfektuesit me bazë klori.