☁️ Ja si do të jetë moti në Suharekë gjatë katër ditëve të ardhshme

Një ciklon i fuqishëm nga Atlantiku do të kalojë nga fundjava në veri të rajonit tonë, që do të sjellë vranësira dhe kushte për reshje shiu, më të theksuara ditën e diel, bën të ditur PW duke theksuar se në aspektin termik, do të depërtojnë masa më të ngrohta ajrore që vazhdojnë të rrisin temperaturat më tutje.

Sipas shërbimit të meteorologjisë, “javën e ardhshme cikloni mbetet në lindje të rajonit, që kohë pas kohe do të favorizojë mundësi për riga lokale shiu, derisa nga veriu do të shtrihen masa më të ftohta ajrore që zbresin temperaturat përreth vlerave mesatare”.

“Diferencat e mëdha barike do të mundësojnë që të fryjnë erëra mesatare dhe të fuqishme, të cilat do të shpërndajnë ndotësit, e vlerat e cilësisë së ajrit do të zbresin në mesatare dhe të mira”, njofton PW.

Parashikimi për datat 22-25 dhjetor:

22.12 – Butë, kryesisht me vranësira dhe erë. Kohë pas kohe me reshje shiu.

23.12-24.12 – Ditën e hënë mbetet mot kryesisht me vranësira, kohë pas kohe me reshje të dobëta shiu. Në vise malore mbi 1500m reshje bore. Të martën, kryesisht vranët, me erë. Herët në mëngjes mundësi për riga lokale shiu. Në mbrëmje erërat do të pushojnë.

25.12 – Vranësira dhe intervale me diell. Mundësi për riga lokale shiu.

Temperaturat minimale do të luhaten nga 5C deri në 6C, e maksimalet nga 9C deri në 13C. Javën e ardhshme minimalet zbresin deri në 1C, e maksimalet në 7C.

Do të fryjë erë mesatare dhe e fuqishme nga jugu-juglindja 5-15m/s.

Shtypja atmosferike deri ditën e diel do të pësojë rënie të thellë nën vlera normale.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.