Hoxhaj: Masakrat duhet të rëndojnë mbi ndërgjegjen e serbëve

Deputeti i PDK-së nga Suhareka, Enver Hoxhaj, ka kujtuar 21 vjetorin e masakrës së familjes Berisha në Suharekë dhe 21 vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe.

Hoxhaj, ka thënë se tash që 21 vjet familjarët po presin ende t’i varrosin anëtarët e tyre të familjes.

Ai, përmes një shkrimi në Facebook, tha se masakra në Suharekë ndaj familjes Berisha është një nga krimet monstruoze që pushtuesi serb kreu në Kosovë. 

Hoxhaj gjithashtu tha se po të njejtën ditë, forcat serbe vranë dhe masakruan qindra banorë të Krushës së Madhe. 

“U bën 21 vite qëkur përkujtojmë të gjithë ata që u ekzekutuan pamëshirshëm nga makineria vrastare serbe. U bën 21 vjet qëkur shumë familjarë presin ende t’i varrosin anëtarët e tyre të familjes! 

Masakra në Suharekë ndaj familjes Berisha është një nga krimet monstruoze që pushtuesi serb kreu në Kosovë. Nuk u kursyen as gratë, as fëmijët! 

Po të njejtën ditë, forcat serbe vranë dhe masakruan qindra banorë të Krushës së Madhe. Plagët për vrasjen dhe masakrimin e më të dashurve janë ende të hapura. 

Këto masakra duhet të rëndojnë jo vetëm në ndërgjegjen e kryesve të mizorive, në këtë rast të vet shtetit serb, por edhe në ndërgjegjen e atyre që nuk ia dhanë ende dënimin e merituar këtij krimi! ” ka shkruar Hoxhaj.