Hiqet ora policore në Komunën e Suharekës, zgjatet orari punës deri në ora 22:00

11.02.2021

Qeveria e Kosovës në detyrë gjatë ditës së enjte ka mbajtur mbledhjen e 63 me radhë në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe duke marrë parasysh dispozitat e […]

Hiqet ora policore në Komunën e Suharekës, zgjatet orari punës deri në ora 22:00 Foto: Herolind Bytyçi / HALLKA

Qeveria e Kosovës në detyrë gjatë ditës së enjte ka mbajtur mbledhjen e 63 me radhë në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, Qeveria në detyrë ka miratuar vendimin për masat si dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e këtyre masave, raporton SuharekaOnline.

Me këtë vendim, për komunat të cilat janë në zonat e kuqe ku bënë pjesë edhe komuna e Suharekës, është hequr ora policore, pra nuk do të ketë më kufizim të lëvizjes së qytetarëve.

Ndërsa, të gjithë operatorëve ekonomik në komunat që janë në zonën e kuqe, do t’iu lejohet të punojnë deri në ora 22:00.

SuharekaOnline ka siguruar të gjitha masat që vlejnë për Komunën e Suharekës, të cilat mund t’i lexoni më poshtë:

Masat për komunat me rrezik të lartë (mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës:

32.1. Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

32.2. Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.

32.3. Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”.

32.4. Institucionet publike dhe private obligohen të punojnë vetëm me staf esencial, i cili staf përcaktohet me vendim të secilit institucion në veçanti;

32.5. Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

32.6. Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”;

32.7. Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë vetëm deri në orën 21:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

32.8. Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, ku gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave deri ne 50 persona, gjithmonë bazuar në protokolle vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”,

32.9. Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”.

32.10. Pavarësisht pikave 35.9, 35.10 dhe 35.11 më lartë, autorizohet Ministria e Shëndetësisë që bazuar në rekomandimet e IKSHP-së të nxjerrë vendime operacionale të ndalojë këto aktivitete.

III. OBLIGIMET E INSTITUCIONEVE PËR ZBATIMIN E MASAVE

33. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që në rast nevojë të nxjerrë udhëzime për sqarimin e pikave të këtij vendimi.

34. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, AUVK dhe Policia e Kosovës, që në bashkëpunim me shtabet emergjente të komunave, të mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi dhe të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raport javor (çdo të premte deri në orën 16:00).

35. Obligohet Ministri i Shëndetësisë, SHSKUK dhe IKSHP të dorëzojnë në Zyrën e Kryeministrit raportin javor (çdo të premte deri në orën 16:00) për zbatimin e masave, gjendjen në institucionet shëndetësore, gjendjen epidemiologjike si dhe parashikimet për dy javët në vijim.

36. Obligohet Ministri i Shëndetësisë që, bazuar në Ligjin nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, të nxjerrë vendime operacionale varësisht prej situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHP-së.

37. Obligohet Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse të mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në zbatimit të Ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

38. Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit nr. 07/l-006 për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

39. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për grupet respektive që preken nga ky vendim vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

40. Ministria e Shëndetësisë obligohet të publikojë në faqen zyrtare të saj Qarkoren lidhur me sëmundjet kronike, për të cilat sëmundje personat sipas pikës 8 të këtij vendimi lirohen nga paraqitja në punë.