Që nga e marta ka filluar nënshkrimi i peticionit “Duam Zgjedhje” nëpër qytetet e Kosovës i organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje i cili fillimisht nënshkruhej online.
Të mërkurën peticioni ka filluar të nënshkruhet edhe në qytetin e Suharekës e që deri sot ka mbledhur mbi 1000 nënshkrues.
Aktivisti i Vetëvendosjes në Suharekë, Arbër Kabashi përmes një shkrimi ka treguar detaje lidhur me procesin e peticionit në Suharekë.
Kabashi ka bërë të ditur se mbi 1000 qytetarë kanë vendosur nënshkrimin e tyre pro mbajtjes së zgjedhjeve dhe se gjysma e nënshkruesëve janë të gjinisë femërore dhe ka ironizuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke ia “atribuar” meritat për këtë pakënaqësi të tyre pasi që janë gra dhe nëna të burrave dhe djemve që janë larguar nga vendlindja.
“Në peticionin që po e mbajmë këto ditë në qytetin tonë, në Therandë, përmes të cilit kërkojmë zgjedhje të reja, kam vërejtur një barazi gjinore të arritur në Therandë, e këtë meritë ia jap Hashim Thaçit, duke mos i përjashtuar edhe besnikët e tij nëpër parti tjera.
Kjo barazi është pjesëmarrja në jetën politike sa e burrave aq edhe e vajzave dhe grave.
Nga mbi 1000 nënshkrime, gjysma janë të gjinisë femrore, e cila në vetvete mund të konkludojë se kemi një emancipim. Por jo, s’kemi emancipim, kemi PËRJASHTIM, DËBIM, DETYRIM për largim nga vendlindja e tyre, të burrave dhe djemve, pra kemi mungesë të burrave.
Ky njeri i cili që nga paslufta sundon, ka pamundësuar të gjejmë paqe në tokën tonë, ka detyruar të ikin mbi 10.000 të rinj Therandas, ta braktisin Kosovën e të kërkojnë një vend tjetër ku të gjejnë punë e bukë!
Theranda është qyteti ku 1000 të rinj në vit braktisin shtëpinë e tyre, jo për shkak të klimës, as për shkak të tokës së shkretë por për shkak se një njeri na e ka marrur edhe kafshatën e gojës, pothuajse njëlloj si Robert Mugabe (diktatori i Zimbabwe i cili e fitoi edhe llotarinë e shtetit të tij sepse kontrollonte gjithçka).
Ky njeri e ka detyruar edhe moshën e tretë të cilët pak para se të dalin në pension, kanë marrur viza dhe kanë ikur nga vendlindja e tyre.
Ky njeri na ka lënë pa djemë e burra, ky njeri dhe argatët e tij kanë “mundësuar” barazi gjinore në Therandë” ka shkruar Kabashi.