Handikos në Suharekë shënon 3 Dhjetorin: “Së bashku për barazi, respekt dhe dinjitet”
Me rastin e 3 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, HANDIKOS–Suharekë ka publikuar një mesazh të fuqishëm ndërgjegjësimi, duke rikujtuar rëndësinë e përfshirjes, barazisë dhe respektit për këtë komunitet.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit të organizatës, kjo ditë është shumë më tepër se një datë në kalendar – është një thirrje globale për reflektim dhe veprim.
HANDIKOS thekson se personat me aftësi të kufizuara janë individë me forcë, kurajë dhe humanizëm të jashtëzakonshëm, të cilët çdo ditë dëshmojnë se sfidat nuk i përcaktojnë njerëzit, por i forcojnë.

“Personat me aftësi të kufizuara nuk kërkojnë mëshirë – ata kërkojnë mundësi. Jo barriera, por mbështetje. Jo përjashtim, por hapësirë të barabartë për të kontribuar,” thuhet në mesazh.
Organizata nënvizon se çdo individ, pavarësisht aftësive fizike, mendore apo shqisore, ka të drejtë të jetojë me dinjitet, të ketë qasje në arsim cilësor, shërbime adekuate, punësim dhe pjesëmarrje të plotë në jetën shoqërore.
HANDIKOS-Suharekë apelon për një shoqëri më të ndjeshme dhe më gjithëpërfshirëse, ku diversiteti të shihet si vlerë dhe jo si pengesë. “Le të punojmë për një mjedis ku secili mund të jetojë i lirë dhe i respektuar. 3 Dhjetori është një ftesë për të ndërtuar një botë më të drejtë, më të aksesueshme dhe më njerëzore,” vazhdon mesazhi.
Në fund, organizata përmbyll thirrjen e saj me moton:
“Së bashku për barazi, respekt dhe dinjitet.”