Gjimnazi i Suharekës përballet me lagështi pas reshjeve – punimet në kulmin e objektit drejt përfundimit
Reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë filluar që në orët e para të mëngjesit të 18 nëntorit, kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullim, ambiente të hapura dhe zona të banuara në mbarë vendin.
Në Komunën e Suharekës, përveç vështirësive në rrugë, erërat e forta dhe reshjet intensive kanë shkaktuar edhe prishje të energjisë elektrike, duke detyruar disa shkolla të shkurtoshin orët mësimore për shkak të kushteve të pamundura për mbajtjen e procesit mësimor.
Mirëpo, një shqetësim i madh ka ardhur edhe nga Gjimnazi “Jeta e Re” në Suharekë, ku reshjet e pandërprera kanë shkaktuar depërtim të ujit në muret e objektit.
Fotografi të dërguara nga nxënësit në redaksinë e SuharekaOnline tregojnë gjendjen brenda shkollës, ku muret janë lagur si pasojë e reshjeve dhe punimeve ende të papërfunduara në kulmin e objektit.


Për këtë çështje, SuharekaOnline ka kontaktuar drejtorin e Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani. Ai ka konfirmuar se është në dijeni të situatës së krijuar dhe se punimet në objekt janë drejt përfundimit.
“Rreth 80% e punimeve janë kryer. Megjithatë, reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar këtë gjendje të papritur dhe shqetësuese. Shpresojmë që gjithçka të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që të mos ketë më shqetësime as për nxënësit, as për mësimdhënësit,” ka deklaruar Bajselmani.
Ai shtoi se siguria dhe kushtet e nxënësve janë prioritet, duke theksuar nevojën që punimet të përmbyllen sa më shpejt për të garantuar mbarëvajtjen normale të mësimit.
Rikujtojmë se vlera e projektit për rregullimin e kulmit të gjimnazit “Jeta e Re” kap shumën prej 200 mijë eurosh.
SuharekaOnline do të vazhdojë të përcjellë nga afër situatën dhe përfundimin e punimeve në objektin shkollor.