Enver Shabani flet për masat në rast të vërshimeve në Komunën e Suharekës

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës të mërkurën ka paralajmëruar vërshime në Kosovë, ku thuhet se reshjet do të vazhdojnë edhe ditëve në vazhdim.

Instituti thotë se do të ketë intensitet të reshjeve në disa zona, me mundësi të vërshimeve të shpejta, përmbytjeve urbane dhe rrëshqitje dheu. Kjo situatë meteorologjike do të përcillet herë pas here edhe me shkarkime rrufesh.

I kontaktuar nga SuharekaOnline, Drejtori i Shërbimeve Publike, Mjedisit dhe Emergjencave në Komunën e Suharekës, Enver Shabani, ka bërë të ditur se janë njoftuar nga zyra e kryeministrit se në rast të vërshimeve janë të gatshëm të ndihmohen edhe nga FSK-ja.

Tutje Shabani theksoi se duke u bazuar në vërshimet e vitit 2018, Komuna e Suharekës gjatë këtyre dy viteve ka ndërmarr masat për parandalimin e vërshimeve duke bërë zgjerimin e shtretërve të lumenjëve dhe pastrimin e tyre.

Gjithashtu drejtori Enver Shabani theksoi se në rast të eskalimit të situatës do ta kenë mbështetjen edhe të kompanive private si dhe të njësisë së zjarrfikësve.

Ndër tjera ai ka treguar se për të eliminuar vërshime të mundshme janë bërë investime edhe te prroi i Dybiqakut dhe kanali për shkarkimin e ujërave në rr.Brigada 123.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.