Ekstradohet nga Italia në Kosovë i dënuari nga Mushtishti për “vrasje në tentativë”

21.08.2025

Më datë 20 gusht 2025, rreth orës 20:15, është realizuar me sukses ekstradimi nga Italia në Kosovë i një personi të dënuar për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”.

I ekstraduari, F.Xh., 34 vjeç, me origjinë nga fshati Mushtisht i Komunës së Suharekës dhe me qëndrim të përkohshëm në Itali, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.

Sipas aktgjykimit të plotfuqishëm të datës 16 shkurt 2019, Gjykata e Prizrenit e kishte dënuar me 20 muaj burg për veprën “vrasje në tentativë”, në bazë të nenit 146 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Megjithatë, i dënuari i ishte shmangur vuajtjes së dënimit duke qëndruar jashtë vendit.

Ekstradimi u krye nga autoritetet italiane, të cilat e dorëzuan të dënuarin në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Atje, ai u prit nga zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Suharekë dhe më pas u dërgua në Qendrën e Paraburgimit për procedura të mëtejshme.

Policia e Kosovës ka falënderuar autoritetet italiane për bashkëpunimin ndërinstitucional, duke theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e urdhër-arresteve ndërkombëtare dhe në forcimin e sundimit të ligjit në funksion të drejtësisë dhe sigurisë publike.