Dështon edhe konkursi i dytë, QKMF e Suharekës rrezikon të mbetët pa gjinekolog

Largimi i mjekëve drejt perëndimit po i jep pasojat e para në tregun kosovar. Qendra e Mjekësisë Familjare në Komunën e Suharekës rrezikon të mbetët pa gjinekolog, si rezultat i mungesës së kuadrove profesionale.

Kanë kaluar gjithsej 15 ditë që nga rishpallja e konkursit për një mjek/e specialist/e të Gjinekologjisë nga ana e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Suharekës, por edhe gjatë kësaj periudhe sa konkursi ishte i hapur asnjë kandidat nuk ka aplikuar për pozitën e gjinekologut.

Në konkursin e rishpallur nga Komuna e Suharekës më datë 10 shkurt 2020, që ishte i paraparë të mbetej i hapur deri sot më 25 shkurt, asnjë aplikant nuk ka konkuruar për pozitën e gjinekologut.

LEXO EDHE:  Lul Raka: Pro apo kundër gjendjes së jashtëzakonshme?
Konkursi i rishpallur

E kontaktuar nga SuharekaOnline drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Suharekës, Sale Bytyqi ka konfirmuar se edhe pse është rishpallur konkursi nuk ka patur asnjë aplikacion dhe se ditëve në vijim do të vendoset se si do të veprohet.

Javë më parë drejtori i QKMF’së në Suharekë, Dr.Salih Bytyçi ka treguar se për momentin në gjinekologji janë të punësuar dy gjinekolog, ku njëri pas një muaje do të dal në pension ndërsa gjinekologia tjetër gjendet në pushim të lindjes edhe katër muaj dhe për atë periudhë jemi pa gjinekolog.

Ai kishte paralajmëruar rihapjen e konkursit dhe mos pranimin e pacientëve deri në zgjidhjen e situatës.