Edhe në Suharekë fillon vaksinimi i personave mbi 85 vjeç

Edhe në Suharekë fillon vaksinimi i personave mbi 85 vjeç
Saranda Bytyçi

10.04.2021 / Suhareka

Nga 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca të ardhura në Kosovë ditë më parë, të martën 110 prej tyre janë destinuar për stafin e QKMF-së në Suharekë, dhe të premten 300 doza për personat mbi 85 vjeç.

Me pranimin e 300 dozave të fundit sot ka filluar procesi i vaksinimit të grupmoshave mbi 85 vjeç.

Këtë e ka konfirmuar për SuharekaOnline drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besa Kuqi, e cila ka bërë të ditur se deri më tani numri i personave të vaksinuar është 35.

“Ashtu siç është paralajmëruar sot ka filluar procesi i vaksinimit të këtyre grupmoshave dhe po vazhdon sipas planifikimit” ka thënë ajo.

Ndërsa lidhur me procedurat e regjistrimit për vaksinim drejtoresha Kuqi ka thënë se ata si drejtori paraprakisht kanë përpiluar listat me emrat e personave që i përkasin këtyre grupmoshave dhe i kanë dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Për të gjithë ata persona të këtyre grupmoshave që nuk kanë aplikuar për vaksinim ata mund ta marrin vaksinën vetëm me një dokument identifikimi.

Poashtu drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Suharekë, Besa Kuqi tha se ditëve në vijim do të vazhdojë edhe vaksinimi i personelit shëndetësor në sektorin privat.

RAPORTO