Dukuri shqetësuese në Suharekë, rriten rastet e parave të falsifikuara

Dukuri shqetësuese në Suharekë, rriten rastet e parave të falsifikuara
Eurolinda Zenelaj

22.04.2021 / Suhareka

Paratë, jo gjithmonë, por pothuajse çdo herë janë të rëndësishme për njerzit, të cilët i përdorin ato për nevojat e tyre, qofshin ato elementare, të nevojshme, të obligueshme apo edhe raste të tjera.

Mirëpo në shumë raste, njerzit me apo pa vetëdije fusin në qarkullim dhe deponojnë para të falsifikuara në vende të ndryshme, dukuri kjo e cila është mjaft shqetësuese për shoqërinë.

Në para të falsifikuara është hasur edhe në Komunën e Suharekës, ku vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti, janar-prill, në Policinë e Kosovës në Suharekë janë raportuar 11 raste të parave të falsifikuara.

Duke analizuar raportet e Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se në këtë komunë, rastet e parave të falsifikuara janë shpeshtuar.

Në bazë të raporteve të siguruara nga SuharekaOnline figuron që në janar të 2021’s në Policinë e Kosovës në Suharekë është raportuar një rast i parave të falsifikuara, numër ky i cili në muajin shkurt të po të njëjtit vit është rritur për dy, që i bie në muajin e dytë të vitit janë raportuar gjithsej 3 raste.

Ndërsa, në muajin mars, 2021, në Komunën e Suharekës rastet e parave të falsifikuara është rritur duke krahasuar me dy muajt paraprakë, ku janë raportuar 4 raste të tilla, kjo dukuri qytetarët e Komunës së Suharekës ka vazhduar t’i përcjellë edhe gjatë muajit prill ku u raportuan 3 raste të parave të falsifikuara.

Mirëpo, përgjatë këtyre muajve krahas kësaj, Policia e Kosovës në Suharekë ka punuar që të parandalojë këtë dukuri e cila është shqetësuese për të gjithë.

Në fillim të muajit mars, të këtij viti policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë dy persona me iniciale B.K (21 vjeçar) dhe D.G (32 vjeçar) të cilët dyshohej se me vetëdije kishin futur në qarkullim para të falsifikuara në vlerë prej 1,500 euro, 3×500 dhe lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Poashtu, një muaj pas, saktësisht më 08 prill, Policia e Kosovës në Suharekë pas një pune intensive ka arritur që të identifikojë edhe dy persona të tjerë me inicialet A.M dhe E.M, të cilët kanë deponuar 200 euro të falsifikuara në një bankë në Suharekë, për të cilët Prokuroria Themelore në Prizren ka caktuar arrest shtëpiak me afat kohor prej 30 ditësh.

Ndërsa, për rastet tjera të cilat janë raportuar në polici për të njejtën arsye, nga raportet e Policisë së Kosovës është bërë e ditur se janë duke u hetuar.

RAPORTO