Dhënia e pronës komunale për gurthyes në Studençan ngjallë debat dhe kundërshtime në asamble

Shqyrtimi i projekt-vendimit për dhënien e pëlqimit për të zhvilluar procedurat e ankandit publik për dhënien në shfrytëzim afatashkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës ka qenë pika e III-tëe rendit të ditës në seancën e sotme të asamblesë komunale.

Pikë kjo që ka ngjalluar kundërshtime dhe reagime të shumta nga ana e asambleistëve të Komunës së Suharekës.

Fillimisht fjalën e ka marr asambleisti i PDK-së, Dardan Berisha, i cili në emër të grupit ka kërkuar shtyerjen e kësaj pike duke u bazuar në disa të dhëna nga fshati Studençan sipas të cilave prona në fjalë gjendet afër zones së banimit.

Berisha fillimisht ka kërkuar organizimin e debatit dhe të merren parasysh opinionet e banorëve të asaj zone dhe gjithashtu nuk ka procesverbal të kryesisë së fshatit, pasiqë kjo e fundit përbëhet nga të gjitha subjektet politike dhe ato nuk kanë qenë të thirrura të gjitha.

Dardan Berisha ka kërkuar pëlqimin e kryesisë së fshatit Studençan pasi që afër pronës ka shtëpi të cilat janë të dëmtuara nga pluhuri i gurthyesëve që shkakton sëmundje të ndryshme të mushkërive, alergji etj.

Në emër të grupit të asambleistëve të PDK-së, Berisha është treguar i prerë duke kërkuar pëlqimin e kryesisë së fshatit para se të hudhet në votim.

Në përgjigjen e tij kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka sqaruar se gurthyesit nuk po punojnë për here të parë por me vite të tëra dhe ka kalu kontrata përmes asamblesë komunale, pronarët që i shfrytëzojnë janë të fshatit Studençan,  disa prej tyre licensat i kanë deri në vitin 2025 dhe disa deri në vitin 2035. Ne jemi të obliguar që prona komunale me kalu përmes asamblesë komunale, ne duhet ta shpallim, kalon përmes komisionit dhe zbatojmë ligjet që janë në fuqi.

Në replikën e tij ndaj kryetarit Muharremaj, asambleisti, Dardan Berisha, ka thënë se komisioni vetëm përcakton kush e merr e kush jo, dhe ne i japim dritën e gjelbër ministries dhe ministria i’a jep komisionit. Andaj ne para se të bëjmë politik duhet të mbrojmë parimet dhe interesat e të gjithë qytetarëve, dhe në këtë rast ky nuk është interes i të gjithë qytetarëve por i disa personave të caktuar të cilët e kanë abzuar atë pjesë.

Muharremaj i është përgjigjur këtij të fundit duke shtuar se edhe nëse ne nuk e kalojmë këtë pike të rendit të ditës gurthyesit vazhdojnë punën dhe se unë nuk u’a kam dhënë licensat.

LEXO EDHE:  1 rast me COVID-19 në Suharekë, 214 në tërë Kosovën

Me qëndrimin e grupit të PDK-së, është pajtuar edhe asambleisti, Bashkim Ndrecaj, i cili tha se ndan mendim përafërsisht të njëjtë, dhe ka pyetur nëse një gurthyesi nuk i jepet licensa a do të vazhdojë punën apo çka do të ndodh pastaj, duke e marr parasysh që licensa i jepet për operim dhe se mund të përdoret edhe në vend tjetër.

Më i zëshëm në këtë drejtim ka qenë asambleisti i PDK-së, Rilind Krasniqi, i cili paraprakisht ka pyetur kolegët nëse operojnë mbi një fshat mbi 10 gurthyes ata banorë a kanë jetë të qetë, duke cituar tekstin e betimit të asambleistëve.

I drejtuar nga kryetari Muharremaj, Krasniqi e ka pyetur nëse do ta dërgonte fëmijën e tij të jetonte në atë pjesë.

Ai ka sqaruar se grupi i PDK-së nuk ka asgjë kundër bizneseve, por nuk kanë asgjë edhe kundër qytetarëve dhe banorëve. Gjithashtu ai tha se nëse i bëhen analizat banorëve të Studençanit është një prej fshatrave që më së shumti kanë probleme me mushkëri, dhe Studençani është në mesin e vendeve më të ndotura në Kosovë.

Ai gjithashtu ka shpalosur fotografi të shtëpive që janë afër gurthyesëve, duke treguar gjendjen e tyre. Ne sjemi për ta ndaluar veprimtarinë e bizneseve por jo në vendet ku rrezikohet shëndeti i qytetarëve, ka thënë Krasniqi ndër tjera.

Muharremaj i është përgjigjur Krasniqit duke treguar se ka qenë obligim me pru në asamble komunale dhe e kam proceduar për shkak që mos me bërë shkelje tek auditorët.

Këtij të fundit i është përgjigjur Jeton Rrakaqi duke shtuar se para se me procedu në asamble është mire që me i dëgju paraprakisht opinionet e banorëve dhe grupeve tjera.

Shekfet Kolegeci nga LDK ka treguar se si grup parlamentar jemi në të mire të qytetarëve dhe nuk kemi qenë në dijeni se ka kundërshtime nga ana e banorëve.

Xhevxhet Gashi ka thënë para se tu jepet licensa gurthyesëve së pari janë marr nënshkrimet e secilit banorë në ato pjesë, nënshkrime këto që Rilind Krasniqi i ka kërkuar për në asamblenë e ardhshme pasiqë janë bërë pazare politike.

Pas shumë debateve me 1 votë kundër dhe 2 abstenime kjo pikë është shtyrë për seancën e radhës.