Dëshmori Azem Behluli nga Mushtishti shpallet “Hero i Kosovës”

21.08.2020

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zyrtarisht ka shpallur sot dëshmorin Azem Behluli nga Mushtishti me titullin Hero i Kosovës. “Që prej fillimit të luftës, Azemi vazhdimisht e kishte ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, deri sa kishte vendosur që t’i bashkohej edhe vetë radhëve të luftëtarëve të lirisë në frontin e luftës. Ai ra heroikisht në […]

Dëshmori Azem Behluli nga Mushtishti shpallet “Hero i Kosovës” Foto: Ilustrim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zyrtarisht ka shpallur sot dëshmorin Azem Behluli nga Mushtishti me titullin Hero i Kosovës.

“Që prej fillimit të luftës, Azemi vazhdimisht e kishte ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, deri sa kishte vendosur që t’i bashkohej edhe vetë radhëve të luftëtarëve të lirisë në frontin e luftës.

Ai ra heroikisht në betejë kundër forcave serbe në fshatin Gurkuq, më 22 prill 1999.

Bashkëluftëtarët ruajnë kujtime të paharrueshme për Azemin, kurse familja Behluli është përherë krenare për veprën e tij! ” ka njoftuar Thaçi.

Në shtator të vitit 1998, kompania e Azem Behlulit e pati goditur helikopterin e policisë, kur ai kalon mbi pozicionet e UÇK-së te Guri i Kuq në ahishtat e Bugogllavës.

Në betejat e egra e të fuqishme të 19, 20, 21 dhe 22 prillit, që ishin një vazhdimësi e pakëputshme e tyre, mbrojtja e pozicioneve të UÇK-së dhe e popullatës zgjati plot 43 ditë pandërprerë derisa forcat serbe u thyen definitivisht dhe lëshuan Kosovën. Në shumë nga këto beteja ranë ushtarë të UÇK-së. Vetëm nga Batalioni i dytë në Budakovë kanë rënë 31 dëshmorë.

Në njërën nga këto beteja të ashpra, e cila zhvillohet afër Shkollës Fillore të fshatit Gurkuq dhe e cila kishte filluar me sulmet e forcave serbe në mëngjesin e 20 prillit, bie heroikisht, më 22 prill 1999, në orën 16:30, trimi i këtyre anëve, Azem Behluli. Azemi me shokët e tij nuk kishte lëvizur nga istikami për tri ditë rresht, derisa goditet nga një plumb snajperi. Po atë natë, Azemi është varrosur nga luftëtarët e lirisë, me nderime ushtarake, në varrezat e fshatit Maçitevë, i bartur dy-tre kilometra nën breshërinë e plumbave nga bashkëluftëtarët: Jakup Jakupi, Bekim Avdylaga, Mehdi Jakupi, Kujtim Jakupi, Medrit Mustafa dhe Avdi Jakupi.