Covid-19, Shaqir Palushi thotë se qarkullimi i ka rënë për 50%

05.04.2020

Aktiviteti i kufizuar ekonomik, mbyllja e dyqaneve, bizneseve, janë vetëm disa nga masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë, për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit në vend. Dhe në kohën kur ende nuk dihet se kur do të mund të flitet për lehtësim masash, bizneset numërojnë humbjet e tyre. Rreth një milion euro më pak […]

Covid-19, Shaqir Palushi thotë se qarkullimi i ka rënë për 50% Foto: Ilustrim

Aktiviteti i kufizuar ekonomik, mbyllja e dyqaneve, bizneseve, janë vetëm disa nga masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë, për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit në vend.

Dhe në kohën kur ende nuk dihet se kur do të mund të flitet për lehtësim masash, bizneset numërojnë humbjet e tyre.

Rreth një milion euro më pak ka pasur të hyra në muajin mars kompania Frutex nga Suhareka, shkruan REL.

Shaqir Palushi, pronari i kësaj kompanie, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, shpjegon humbjet që ka pësuar kompania e tij.

“Vetëm për muajin mars kemi pasur rënie të qarkullimit për 50 për qind nga ajo që kemi planifikuar, që do të thotë rreth 1 milionë euro të hyra më pak. Sigurisht kjo do të ketë ndikim në zvogëlimin e mundësive për investime. Pra, gjithsesi planifikimet për investime në vitin 2020 do të reduktohen. Shpresoj që të mos zgjasë shumë kjo situatë”, thotë Palushi.

Në dy javët e kaluara, thotë Palushi, kompania Frutex nuk ka punuar fare, ndërkaq puna me numër të reduktuar të punëtorëve dhe vetëm me një linjë prodhuese ka filluar nga dita e hënë, 30 mars 2020.

“Nga rreth 180 punëtorë sa kanë qenë të punësuar në këto kompani, numri është zvogëluar në 90 punëtorë, megjithëse deri më tani punëtorët vazhdojnë të marrinë pagat e plota”, thotë Palushi.