COVID-19 në Suharekë, kryetari Muharremaj flet për masat dhe menaxhimin e situatës

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 475 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 196 raste pozitive.

Nga 196 rastet e konfrimuara sot nga IKSHPK, 6(gjashtë) raste të reja janë konfirmuar në Komunën e Suharekës.

Se si po menaxhohet situata në Komunën e Suharekës, flet kryetari i komunës, Bali Muharremaj.

I pyetur nga redaksia nëse shihet të nevojshme  mbyllja e parqeve, shtigjeve të ecjes dhe vendeve të tjera publike ku ka frekuentim  më të madh të qytetarëve, sidomos në orët e vona të mbrëmjes, kryetari Muharremaj thotë se ne do ti zbatojmë të gjitha vendimet që vijnë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet shëndetësore. Gjatë tërë kohës ne kemi bërë thirrje për zbatim të masave mbrojtëse nga pandemia Covid-19.

Gjithashtu lidhur me atë se nëse shihet e rrezikshme frekuentimi i qytetarëve në tregun javor (të martën), dhe a ka mbikëqyrje nga ana e institucioneve, ai thotë se në vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 28.07.2020 ndalohet vetëm veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve. Ndërkohë tregu javor vazhdon të punoj sipas vendimeve të mëhershme. Drejtoria e Inspekcionit në bashkëpunim me policinë çdo ditë tregu (e marte) janë prezentë duke monitoruar zbatimin e masave të caktuara nga institucionet qëndrore.

Duke folur për gjendjen e pacientëve që lajmërohen në QKMF dhe menaxhimin e situtës nga ky institucion, kryetari Muharremaj thotë se ka hapësira për trajtimin e tyre dhe se për momentin situata është e përballueshme.

“Për momentin ka hapsira për trajtimin e  pacientëve me Covid-19, andaj ne mund ta përballojmë momentalisht numrin aktual të tyre.  Trajtimi i tyre është ambulantor brenda QKMF –së,  ku marrin terapinë e nevojshme dhe vazhdojnë në shtëpi, apo nese situata është serioze dërgohen në spital. Situata është nën kontrollë, mirëpo ne i kemi edhe  ekipet kujdestare që  janë në dipozicion në kohë” ka thënë Muharremaj.

Lidhur me mosbesueshmërinë e qytetarëve për ekzistimin e COVID-19, Muharremaj thotë se ka dëgjuar se ka raste të tilla. Mirëpo ne duhet tu besojmë institucioneve shëndetësore dhe ti respektojmë masat e caktuara, që ta ruajmë veten dhe familjet tona. Me këtë pandemi po përballet e gjithë bota dhe nuk mendoj se duhet ta dyshojmë këtë gjendje.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tregon edhe për kujdesin që ka komuna për familjet e viktimave nga COVID-19.

Sipas tij sapo marrin informacionet e nevojshme zyrtare, të gjitha hapësirat në ato familje i dezinfektojnë, dhe ku ka nevojë ju ofrojmë asistencë mjekësore. 

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.