COVID-19, 5000 të verbër pa përkrahje institucioanle, 65 prej tyre në Suharekë

Megjithëse masat për lëvizjen e qytetarëve filluan të lehtësohen, fatkeqësisht një lehtësim të tillë nuk e kanë rreth 5000 qytetarë të Republikës së Kosovës, që i përkasin komunitetit të të verbërve.

Kështu të paktën thotë, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Mexhid Foniqi. Në një pronocim për SuharekaOnline, Foniqi thotë se ashtu si edhe qytetarët e tjerë, pandemia ka ndikuar edhe te personat e verbër.

Përveç faktit që janë të kufizuar në lëvizje, kjo shtresë e shoqërisë nuk është përkrahur nga asnjë institucion, duke marr parasysh faktin se anëtarë të kësaj shoqate kanë vështirësi ekonomike, shtoi ai.

Sipas Foniqit deri më sot, shoqata që ai drejton nuk ka gëzuar përkrahje institucionale, veçmas maskave dhe dezinfektuesve që i janë dërguar para dy jave dhe atë vetëm stafit të shoqatës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Edhe përkundër faktit që këtyre personave u nevojitet një shoqërues, deri më sot fatmirësisht asnjë anëtar i kësaj shoqate nuk është prekur nga COVID-19.

Nga 5000 anëtarë që numëron kjo shoqatë, prej tyre 2500 qytetarë janë me shiqim të dëmtuar pjesërisht dhe pjesa e tjetër me dëmtim të plotë të shiqimit.

Sipas Drejtorit Foniqi vetëm në Komunën e Suharekës janë rreth 65 qytetarë që janë anëtarë të shoqatës së të verbërve të Kosovës, të cilët poashtu si pjesa tjetër nuk janë përkrahur nga institucionet.

Ai ka shtuar se gjatë pandemisë të përkrahur nga UNICEF dhe CDF kanë mbajtur një trajnim se si duhet sjellur gjatë pandemisë, ku fillimisht për fëmijët pastaj për moshat tjera.

Ndër tjera ai ka shtuar se krahas trajnimit, UNICEF ka ndihmuar këtë shoqatë me 100 pako higjienike të cilat janë shpërndarë nëpër komuna.

Edhe Drejtori i kësaj shoqate në Komunën e Suharekës, Naim Lezi, bëri të ditur që kjo shoqatë nuk ka mbështetje institucionale, madje ai tregoi se që nga fillimi i vitit kanë mbetur pa zyre pasiqë zyret e vjetra janë duke u renovuar dhe sipas informacioneve që ai ka ende nuk është bërë pranimi teknik.

Gjatë kësaj kohe kontaktin me 65 anëtarët e kësaj shoqate ai i mban vetëm përmes komunikimeve me telefon.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.