COVID-19, 5 mësimdhënës dhe 3 nxënës nga Komuna e Suharekës janë karantinuar

Ka kaluar më shumë se një muaj që ka filluar procesi mësimor nëpër shkolla, ku edhe në Komunën e Suharekës fatmirësisht mësimi vazhdon të mbahet në ambientet shkollore.

Situata me pandeminë COVID-19 në përgjithësi është e ndjeshme në shkollat e komunës sonë por momentalisht është e menaxhueshme, këtë e ka konfirmuar Drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani.

Bajselmani në një intervistë për SuharekaOnline ka bërë të ditur se numri i punonjësve të arsimit të cilët janë testuar ka arritur afër 100.

Sipas tij aktualisht në Komunën e Suharekës janë të karantinuar 5 mësimdhënës dhe 3 nxënës, grupet e të cilëve gjithashtu janë duke vazhduar me mësim online.

Drejtori i DKA-së, Remzi Bajselmani ka treguar se në rast të kalimit në planin C (mësim online) kjo do të rëndonte procesin mësimor, por ai tha se do të angazhohen që procesi mësimor të vazhdohet me planin A (mësim në shkolla).

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.