Të hënën ka filluar periudha e tretë e procesit mësimor, ku shumica e nxënësve janë duke mësuar përmes platformave online. Kjo si rezultat i masave të reja anti COVID-19.
Edhe pse shkollat vlerësohen si burim i bartjes së virusit, në Komunën e Suharekës numri i mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar është shumë i vogël.
Kështu ka bërë të ditur për SuharekaOnline drejtori i DKA-së në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani.
Në një periudhë dyjavore, përkatësisht nga 1 prilli deri më 14 prill, në Komunën e Suharekës janë konfirmuar vetëm tre mësimdhënës të prekur nga COVID-19. Sipas Bajselmanit dy raste janë në fshatin Nishor dhe një në Budakovë.
Duke folur për gjendjen e tyre shëndetësore drejtori i DKA-së, Remzi Bajselmani ka thënë se njëri prej mësimdhënësve është shëruar ndërsa tjetri është më i sëmurë sepse ka edhe sëmundje të tjera përcjellëse. Ndërsa mësimdhënësi nga Budakova fatmirësisht gëzon gjendje të mirë shëndetësore.
Njëkohësisht ai ka apeluar te prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit që të respektojnë masat mbrojtëse.