Bali Muharremaj: “Dashuria për Suharekën është angazhim i përditshëm, jo vetëm fjalë”
Me një mesazh të fuqishëm dhe plot emocion, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka ndarë me qytetarët vizionin dhe angazhimin e tij për të ardhmen e komunës.
Në një deklaratë të shkruar, Muharremaj thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe punës së palodhshme si rruga e vetme drejt një Suharekeje më të mirë.
“Do të punojmë bashkë dhe më fortë se asnjëherë tjetër,” shkruan kryetari, duke kujtuar sakrificën e atyre që mundësuan këtë mundësi për zhvillim. Ai thekson se “dashnia për Suharekën e plotë kudo, nuk është fjalë, është angazhim i përditshëm,” duke e shndërruar kështu ndjenjën e përkatësisë në një detyrë të vazhdueshme.
Një pikë e rëndësishme e mesazhit të Muharremajt është humanizmi dhe respekti ndaj qytetarëve. “Unë qytetarët nuk i shoh si numra, por si zemra që rrahin bashkë për një të ardhme të përbashkët,” shprehet ai, duke vënë në qendër të qeverisjes mirëqenien dhe aspiratat e banorëve të Suharekës.
Kryetari Muharremaj shpreh besimin e tij të palëkundur në esencën e vërtetë të udhëheqjes. “Unë besoj me gjithë qenien time se udhëheqja nuk fillon me pushtet, por me një betim që vjen nga zëri i brendshëm e që reflektohet me punë,” thekson ai, duke e lidhur autoritetin me përgjegjësinë dhe veprimet konkrete.
Dashuria për Suharekën, sipas tij, përfshin çdo aspekt të jetës komunale: “Dashni për njerëzit, për rrugët, për historinë dhe për ëndrrat e Suharekës.” Ky angazhim i gjithanshëm tregon një përkushtim për të ndërtuar një të ardhme të ndritur duke respektuar të kaluarën dhe duke investuar tek e ardhmja.
Në fund të mesazhit të tij, kryetari Bali Muharremaj siguron qytetarët se çdo vendim i marrë do të jetë i udhëhequr nga kjo ndjenjë e thellë për komunitetin. “Çdo vendim që marr, duhet të buroj nga kjo ndjenjë e thellë për qytetarët tanë dhe për çdo familje që punon me ndershmëri. Për çdo të ri që ëndërron një jetë më të mirë këtu, e për çdo të moshuar që meriton respekt e kujdes,” përfundon ai, duke dërguar një mesazh shprese dhe sigurie për të gjithë banorët e Suharekës.